Disa njerëz duan vetëm pushtet! Për shembull, presidentit të Ugandës, Yoweri Museveni, nuk i mjaftojnë 40 vite në krye të shtetit të tij. Së fundmi, ai është konfirmuar si kandidati i partisë në pushtet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
80-vjeçari e drejton vendin prej vitit 1986, por pritet të kërkojë edhe një tjetër mandat, duke zgjatur sundimin e tij afro 40-vjeçar.
Në fjalimin gjatë konferencës së partisë, Museveni tha se ishte i vendosur ta çonte përpara vizionin e tij për ta kthyer Ugandën në një vend me të ardhura të larta mesatare. “Shtetet aziatike me më pak burime e kanë arritur, edhe ne mundemi,” tha ai.
Kritikët e akuzojnë atë për sundim autoritar dhe shtypje të opozitës. Kushtetuta është ndryshuar dy herë për të hequr kufizimet e moshës dhe mandateve, duke i hapur rrugë kandidimit të tij të vazhdueshëm.
Rivali i tij kryesor pritet të jetë Bobi Wine, këngëtar i njohur i kthyer në politikan, i cili ka paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje nëse nominohet nga partia e tij.
Wine, emri i vërtetë i të cilit është Robert Kyagulanyi e ka përshkruar situatën për opozitën si gjithnjë e më të rrezikshme, duke thënë se “të jesh në opozitë në Ugandë do të thotë të jesh i etiketuar si terrorist”.
Një tjetër politikan i njohur i opozitës, Kizza Besigye, ndodhet në paraburgim që nga nëntori pasi u akuzua për tradhti të lartë. Ai e mohon akuzën, duke thënë se arrestimi i tij është politik. Zgjedhjet janë planifikuar të mbahen në janar 2026.