Ballina Opinion Beccheti, Cez, Bankers dhe gjuetari që donte të vriste ariun

Beccheti, Cez, Bankers dhe gjuetari që donte të vriste ariun

22
0

Nga Klodian Tomorri

Euforia publike për arrestimet në Bankers Petroleum do të zvenitet shumë shpejt duke u zëvendësuar nga realiteti i ftohtë i përplasjeve së fakteve në rrugë ligjore. Jo në Shqipëri, por në Gjykatat e Arbitrazhit.

Ata që mund të kenë ndonjë fije skepticizmi mbi atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mjafton të kthejnë kokën pas vetëm fare pak vite më parë. Atëherë kur qeveria zbarkoi me polici dhe prokurori në Agon Channel.

Edhe asokohe pati eufori njësoj si sot me Bankersin. Por më vonë eksitimi publik, të cilin qeveria e shfrytëzon me mjeshtëri, u zëvendësua nga një çomange 130 milionë euro që i ra kokës qytetarëve shqiptarë. Dhe Becchetti ishte asgjë. Në termat e biznesit, Agon Channel ishte një kioskë, ndërsa Bankers është një biznes miliarda eurosh. Ndaj rreziku që u kanoset qytetarëve, këtë herë është shumë më i madh.

Goditja e bizneseve të huaja më aksione të bujshme policeske dhe pranga që kërcasin publikisht, pa një proces të rregullt administrativ dhe ligjor, është një film që Shqipëria e ka parë disa herë. Vite më parë, Flamur Noka, zaptoi zyrat e CEZ me polici. As një vit më vonë, Edi Rama shkoi u pajtua me Cez duke u hedhur qytetarëve shqiptarë një gjobë 90 e ca milionë euro në kurriz. Ato para u paguan deri në qindarkën e fundit nga qytetarët, ndërsa faji mbeti jetim i akuzave të ndërsjellta politike.

Që Bankers është një kompani me gjynahe të mëdha, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Fakti që Bankers ka shmangur taksa masivisht dhe ka bërë evazion është një sekret publik në Shqipëri, prej më shumë se një dekadë e gjysmë. Madje katër vjet më parë, kompania e pranoi edhe vet, kur bëri një letër publike kundër ish drejtorit të saj Leonidha çobo duke e akuzuar atë për abuzime masive, mashtrime financiare dhe vjedhje.

Por aksioni i Prokurorisë së Fierit ngre shumë pikëpyetje. Një pjesë e tyre bërtasin në vetë njoftimin zyrtar të prokurorisë, i cili ka brenda jo pak të pavërteta.

Prokuroria thotë se “nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet.”

Kjo është një e pavërtetë e madhe. E para, Bankers nuk ka dalë më humbje këto 20 vjet siç thotë prokuroria, por ka dalë me fitim. Thjesht fitimi që ajo ka gjeneruar nga shitja e naftës nuk i ka shlyer ende plotësisht shpenzimet që ka bërë për investime.

Së dyti, nuk është e vërtetë që shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga shfrytëzimi i naftës, siç thotë qeveria. Automatikisht 10 për qind e xhiros që Bankers arkëton nga shitja e naftës shkon si e ardhur për shtetin në formën e rentës minerare. Në 5.3 miliardë euro xhiro, renta është 530 milionë euro. Po t’i shtosh kësaj edhe pjesën e prodhimit paraekzistues si dhe naftën fitim, shuma e përfituar është edhe më e madhe.

Shqiptarët duhet të luten që prokuroria dhe hetimi tatimor ta kenë kopsitur dosjen në mënyrë perfekte sepse në të kundërtën pasojat mund të jenë shumë të rënda. Dhe historia nuk është shumë inkurajuese në këtë drejtim.

Shteti shqiptar është përplasur disa herë me Bankers. Fillimisht në vitin 2014, kur AKBN vendosi të mos njohë 247 milionë euro shpenzime të kompanisë. Por pasi palët pajtuan një arbitër të pavarur, fitoi Bankers dhe shpenzimet u njohën të gjitha.

Në vitin 2019, Dogana e Fierit e gjobiti Bankersin me 120 milionë euro për evazion me akcizën e holluesit. Por gjoba u anullua dhe askush nuk e di si dhe kush e anulloi. Domethënë nuk është shumë e vështirë të imagjonohet kush e anulloi, sepse në këtë vend vetëm një njeri e ka fuqinë të vërë pranga dhe gjoba si dhe t’i anullojë ato. Por kjo pak rëndësi ka.

Në gjithë këto vite Shqipëria ka fituar vetëm një herë kundër Bankersit në një arbitrazh që u mbyll një vit më parë për shpenzimet e rekuperueshme të periudhës 2012-2018. Gjykata e Arbitrazhit i dha të drejtë Shqipërisë të mos njohë rreth 200 milionë dollarë shpenzime për gjithë këto vite. Por arsyeja e fitores ishte pikërisht autogoli që Bankers bëri me letrën kundër Leonidha çobos. Sepse paralelisht pranonte që ishte dëmtuar shteti.

Ky këtë herë është një rrezik shumë i madh. Bëhet fjalë për arrestimin e drejtorit të një kompanie të një shteti shumë të madh. Dhe për dosje të kopsitur nga një drejtor hetimi tatimor, që nga taksat dhe regjimet fiskale merr vesh aq sa kryeministri.

Euforia do të kalojë shumë shpejt. Frika është tek ajo që ndodh më pas. Sepse ka një barcaletë që i shkon shumë kësaj që ndodh në Shqipëri. është ajo e gjuetarit që dontë të vriste ariun.

Herën e parë gjuetari mori shenjë, por nuk e qëlloi dot ariun. Pasi gjuetari doli huq, ariu e kapi dhe e p*lloi. Herën e dytë ndodhi sërish e njëjta gjë. Kur gjuetari shkoi prapë ditën e tretë, ariu i tha; ore ti je gjuetar apo BQ?

Në këtë rast pushkën në dorë e ka qeveria. Por ata që hanë pasojat janë qytetarët. Për të mos thënë, që e gjitha kjo mund të ketë qëllimë të tjera nga mbrapa. Dhe teoritë janë të shumta. Nga deal-et e arbitrazheve deri tek marrja e kompanisë për ta çuar në duar të tjera.