Zjarri në landfillin e Elbasanit është fikur pas gjashtë ditësh. Siç duket edhe nga këto pamjet të Klan News, atje nuk ka më prani flakësh apo tymi në zonën e prekur.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se vatra fillestare e zjarrit është tashmë e izoluar ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga gazra dhe avuj.
“Tashmë është vënë në kontroll situata, nuk kemi vatra të reja, nuk kemi përhapje të vatrave ekzistuese. Do vazhdojmë të kapsulojmë pjesët që janë të ekspozuara nga agjentët natyrorë”, tha ai.
Ndërkohë Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, e konsideroi këtë operacion si ndër më të vështirin të viteve të fundit.
“Kemi pasur të bëjmë me materialet plastike dhe komponime të tjera ndotëse që kanë e bërë zjarrin jashtëzakonisht të vështirë për t’u shuar”, tha ai.
Për ngjarjen, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e ndotjes dhe origjinën e zjarrit. Deri më tani, as për këtë rast dhe as për ato të mëparshme, nuk ka një shkak zyrtar të konfirmuar për shpërthimin e flakëve.
Ndërkohë banorët e qytetit dhe të zonave përreth janë shprehur të shqetësuar për pasojat në shëndet duke thënë se tymi dhe smogu kanë qenë të padurueshëm.