Ballina Dossier Historitë e panjohura të sportistëve të famshëm te hotel “Donika“

Historitë e panjohura të sportistëve të famshëm te hotel “Donika“

8
0

Nga Uvil Zajmi

Me një emër pak të veçantë “Donika”, ai nuk ka qenë thjesht një hotel për familjarë, por ai i ka shërbyer të gjithëve. Tejet nostalgjik i brezave, atyre kryeqytetas, por edhe atyre të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Në qendër, në bulevardin kryesor të Tiranës, një motiv më shumë për të qenë i frkuentuar. Por ajo për të cilën do rrëfejmë, i referohet lidhjes së këtij hoteli, me sportin. Madje tejet i rëndësishëm ndër vite, me një funksion unik edhe në këtë drejtim, si vend grumbullimi i ekipeve, klubeve, kombëtareve, në përgatitjet përballë sfidave të mëdha të kohës. Në një mjedis modest të tij, aty janë projektuar taktikat, janë shpallur formacione, janë bërë analizat, për të marrë më pas rrugën për në “Qemal Stafa”, apo pallatin e sportit “Partizani”, e ndeshur me kundërshtarët evropianë, të privilegjuar e të sistemuar në “Dajti”.

Nga “Donika” e kanë startin fitoret 1-0 ndaj Danimarkës, barazimet 1-1 me Irlandën e Xhorxh Bestit, dhe ai historik 0 0, me Gjermaninë Federale. Ndeshjet e mëdha me Holandën, Zvicrën, Jugosllavinë, humbja 0-1 me Gjermaninë e Bekenbauerit, Mylerit, Shneligerit, apo fitorja 3-0 me Turqinë. Bashkë me fitoren e paharruar të “Partizanit” ndaj “Torinos”, rezultatin e madh ndaj “Oransodës”, 48 pikët e Gim Fagut, barazimet epokale të “17 Nëntorit” me “Standartin” e Liezhit dhe “Ajaksin” e Johan Krujfit. “Donika” kujtohet edhe si hoteli i njohjeve, takimeve klandestine, dashurive të mëdha të sportistëve, për listat “dramë”. Gjithashtu për tifozët, dhe për pak dollarë. Një rrëfim i rrallë, i pa treguar, deri diku edhe e harruar…!

Hotel “Donika”, pronë e Ylber Zoraliut, ndërtuar në kohën e Italisë, me një strukturë të atij stili, në vijim të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”, ngjitur me Cirkun, Kinema verore “Partizani”. Një ndërtesë trekatëshe, me dhjetë dhoma, në secilin kat, të dytë e të tretë me shtretër. Dhomat ishin pa banjo, vetëm me një lavaman, ndërsa në fund të korridorit, ishte banjo e përbashkët. Brenda saj edhe një vaskë e mbetur nga koha e Italisë, për të bërë banjë, por që nuk përdorej. Dhomat me pamje nga bulevardi, kishin edhe nga një ballkon.

Kati i parë, ishte restoranti, ndërsa në të dytin, bashkë me dhomat ishte edhe një lozhë (kështu e quanin). Vetëm me një hyrje të madhe ballore për në hotel dhe një tjetër për në restorant, pasi nuk kishte komunikim të brendshëm ndërmjet tyre. Përdorej, frekuentohej nga të gjithë, sidomos të ardhurit në Tiranë ata ditorë ose, për pak ditë, dhe për familjarë të sapo martuar, në pritje për të marrë apartament, qëndronin provizorisht aty. Një hotel ku gatuhej mirë. Shërbente për evenimente festivë, dasma, etj., me muzikë, orkestër, dhe një këngëtar, kryesisht në fundjavë.                      

                     “Donika” e sportistëve

Tirana kishte edhe hotele të tjera, si “Internazionali”, “Vollga”, “Valbona”, “Vjosa”, “Peza”, “Dajti”, por, fama e  “Donikës” ishte e lidhur për misionin, traditën marrëdhëniet e krijuar edhe me sportin. Fotografi Nikolin Baba, kujton: “Përballë hotelit ishte fusha e zezë, “Spartak” quhej. Aty stërviteshin paradite, ekipet e grumbulluar në hotel “Donika”. Topat, materialet, i linin te shtëpia ime, pasi e kishim ngjitur me fushën, që sot mund të ketë qenë te pellgu i shkollës “Sami Frashëri”. Në vitet ‘60-të, hotel “Durrësi” në krye të Bulevardit, djathtas, sot Hotel “Tirana Internacional”’ është përdorur kryesisht nga futbollistët e “17 Nëntorit”.

Ndryshe  ekipet, arbritrat e ardhur në Tiranë, sistemoheshin në hotel “Adriatik” në “Rrugën e Kavajës”, Hotel “Vjosa”, në fillim të “Rrugës së Dibrës”, Hotel “Tirana” përballë Mapo-s, më pak te “Internacionali”, “Vollga”, kurse hotel “Dajti”, ka shërbyer vetëm për ekipet, arbritrat e huaj. Më pas për sportistët kanë funksionuar edhe “Arbana” e “Arbëria”. “Donika” ka qenë hoteli më klasik, i ekipeve kombëtare në futboll, në lojërat me dorë, në grumbullimet në prag të takimeve ndërkombëtare, kur ato do të zhvilloheshin në Tiranë, si dhe Sport-Klubin e “17 Nëntorit”, futbollin e lojërat me dorë. Prenotohej dhe askush tjetër nuk mund të qëndronte e flinte aty, vetëm në raste të rralla, edhe persona të tjerë.

            Hoteli i sfidave të mëdha

Nga ai hotel e kanë zanafillën takimet e mëdha të kombëtares, nga fitorja e parë historike 1-0 me Danimarkën, dhe dy barazimet e famshme 1-1, me Irlandën e Veriut, dhe 0-0, me Gjermaninë Perëndimorë. Por edhe mjaft ndeshje, si ato me Holandën, Zvicrën, Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, deri edhe humbja 0-1 me Gjermaninë e Bekenbauerit, Mylerit, Shneligerit. Për të ardhur te barazimi 1-1, me Poloninë, fitorja 3-0, me Turqinë, ajo 1-0 me Finalndën, bashkë me dy humbjet fatale, ndëshkuese me Rumaninë dhe Republikën Demokratike Gjermane, me shifrat e thella 4-1, pas të cilave do vijë ajo vetë-ndarje, vetë-shkëputje, vetë-largim 7-vjeçar i futbollit shqiptar me Europën.

Ky do të jetë sipari, ai i lidhjes shumëvjeçare e ekipit përfaqësues me hotelin e tij, “Donikën”. Në hollin, mjediset e tij tejet modeste, Zyber Konçi, Loro Boriçi, Myslym Alla, Ilia Shuke, ashtu thjesht me mjete rrethanore, kanë projektuar strategjitë e përballjeve, skemat, kanë shpallur formacionet. Pikërisht në ato mjedise, Lym Alla ka ideuar mënyrën e lojës ndaj “Standart” të Liezhit dhe “Ajaks” të Amstrdamit, për të regjistruar barazimet e papërsëritshme. Nga ai hotel, me një autobus modest, shoferët e paharruar dhe drejt…“Qemal Stafës”.

Për t’u rikthyer sërish te “Donika” në përfundim të tyre. Nga ai hotel kanë marrë rrugën për në Pallatin e Sportit “Partizani”, “17 Nëntorit” në volejboll me vajza, në Kupën e Kampioneve, 1969 ndaj “Fenerbahces”, dhe në basketboll, ato të djemve në sfidat e paharruar ndaj “Zadarit”, “Jugoplastikës”, “Cervena Zvezdës”, etj. Ish-futbollisti i njohur i kombëtares, Mihal Gjika, kujton: “Ishim të grumbulluara te ‘Donika’, para takimit me Poloninë, vitit 1971, kur vjen Manush Myftiu, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe zv. kryeministër.

Takoi trajnerin Boriçi, dhe e pyeti jo pa ironi: “Çfarë bëjnë këta borgjezët”? Loro, tejet i zgjuar, me shumë kulturë, iu përgjigj: “Shoku Manush, futbollistët borgjezë, janë në Itali, Francë, Gjermani, ndërsa lojtarët tanë, i ke në dhomat e tyre duke fjetur’. Myftiu, uli kokën dhe vijoi, duke ndryshuar bisedën: ‘Na duhet një fitore, me shumë gola’”.

        Hotel “Donika”,  i pëlqyer edhe nga “Partizani”

Edhe pse Klubi Sportiv kishte mjediset e tij të njohura pranë Pallatit të Sportit “Partizani”, Hotel “Donika” ka qenë tejet e preferuar nga drejtuesit e klubit ushtarak, për ekipet e futbollit dhe basketbollit, për sfidat ndërkombëtare. Trajneri i njohur Loro Boriçi, aty ka grumbulluar jo vetëm ekipin kombëtar, por edhe skuadrën e “Partizanit”. “Në ndeshjet me FC ‘Torinon’, në Kupën e Kupave, muajin shtator 1968, aty jemi grumbulluar. Kujtoj se aty vinin gjeneral Beqir Balluku, Petrit Dume, zyrtarë të Klubit, ku qëndronin, takonin futbollistët dhe na kërkonin të fitonin, madje me rezultat të thellë. Nga ai hotel jemi nisur për në ‘Qemal Stafa’, ku fituam 1-0 me Torinon”- rrëfen Mihal Gjika. Ndërsa periudhën e qëndrimit rekord në atë hotel, e ka basketbolli i “Partizanit”.

“Para takimeve me ‘Oransodën’ për Kupën e Kampioneve, që do të luheshin në fund të vitit 1968, ekipi u grumbullua te ‘Donika’. Menjëherë pas largimit të futbollistëve të Partizanit, pas ndeshjes së tyre me Torinon. E liruan ata, shkuam ne. Dy muaj, deri në janar të ‘69-ës, aty flinim, ndërsa për trajtim ushqimor, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Nga ato dhoma, nga ai hotel, me autobusin e Estrefit, është e lidhur edhe historia e 48 pikëve të Agim Fagut në atë përballje, me start ‘Donikën’ e famshme” – kujton basketbollisti “Partizanit”, Sandër Dheri.

Me një kasetofon fshehurazi  

Shumë sportistë, një pjesë të karrierës, kujtimeve, e kanë të lidhur dhe me hotel “Donikën”. Të grumbulluar me ekipin kombëtar U 17, për një turne në Kinë, Edmond Gëzdari, ish-futbollisti goleadori i “Shkëndijës”, “17 Nëntorit”, rrëfen: “Ishte korriku i 1974-ës, një muaj aty, stërviteshim paradite, në mesditë dhe mbrëmje, i kalonim në dhomat e njëri-tjetrit. Babai më kishte sjellë një kasetofon, disa kaseta nga jashtë shtetit, dhe me të dëgjonim këngë italiane. Shpesh krijonim zhurmë, vinte trajneri Refik Resmja, na bërtiste. Kujtoj se aty improvizonim ‘Tutto il calcio minuto për minuto’, emision radiofonik shumë i ndjekur çdo të diel nga ne.

Kreshnik Agolli imitonte nga studio qendrore drejtuesin Roberto Bortoluzin, ndërsa ne grupi nga pas, krijonte zhurmë fallso, duke i rënë karrigeve me duar, si në stadium. Pas dëgjohej Sul Starova, që imitonte Enriko Amerin. Me zërin e trashë të Sandro Cioti, isha unë. Arjan Bakiri, imitonte Alfredo Provencialin, Il Metani, Enzo Folianezen, etj. E regjistruam, e pata ruajtur shumë vite më vonë, por humbi kasetofoni, me të edhe kaseta. Në ato dhoma dikush këndonte Celentanon, një tjetër Xhani Morandin, dhe i incizonim. ‘Shejtanë, çfarë po bëni’- na bërtiste trajneri Thanas Jançe. Por edhe filmat janë ndjekur nga ai hotel, sepse mbrapa tij, ishte kinema verore ‘Partizani’”.

        Hotel “Donika” i listave “dramë”

Në atë hotel, në njërin nga mjediset e tij, një apo dy ditë para nisjes për jashtë shtetit, nga të gjithë, sportistë, drejtues, trajnerë, pritej me padurim, ankth, leximi i “listës”, siç edhe është njohur. Por çfarë ishte ajo listë, çfarë përfaqësonte, pse ishte që shumë e rëndësishme, e që përcillte aq tension, emocion, që kishte lidhje direkt me sportistët?! Kush e ka përjetuar ato kohë, ato prag-nisje për ndeshjet jashtë vendit, e kujton, e di mirë çfarë ngjarje ishte momenti i leximi i saj: Kënaqësi për disa, e kundërta “dramë”, mërzitje, dëshpërim, për të tjerët.

Mjaftonte çasti i leximi të saj para skuadrës, kur i ardhuri nga Klubi Sportiv, ministria, në pak minuta në një sallë të Hotel “Donikës”, do shpallte emrat e lojtarëve, trajnerëve, që do të niseshin jashtë shtetit. Ata që nuk e kishin emrin në listë, do të qëndronin në Tiranë. Ishte vërtet e vështirë, një shok psikologjik i jashtëzakonshëm, dhe ata që nuk figuronin në listë, ishin të detyruar ta braktisnin “Donikën”, të ktheheshin në shtëpi, në qytetin e tyre, duke marrë pas edhe fjalët, thashethemet, e mos vajtjes. I gjithë opinion informohej menjëherë pas leximit të saj. Sa herë është lexuar ajo listë ankthi, në Hotel “Donika”?!

                  Kur njoftohej policia

Ankesa sistematike, pa fund nga familjarët e pallatit përballë, atyre që janë edhe sot, kur sa herë në “Donika” grumbulloheshin ekipe sportive, e para që njoftohej, ishte Policia, që kthehej në një problem madhor, me sportistët, veprimet e tyre, me futbollistët, kryesisht protagonistë. Të shqetësuar, familjarët e pallateve, akuzonin se sportistët; dalin me mbathje në ballkon. Sipas tyre, nuk ishte normale, jo vetëm për banorët e ndërtesave përreth, por si bulevardi kryesor, njerëz që lëvizin, dhe me veprime të tilla, ata bënin figurë jo të mirë. Kërkesa arrinte në nivele të larta, deri në rajonet e policisë, të cilët dërgonin agjentët e tyre për të marrë masa.

Ish-sulmuesi i njohur i “Shkëndisë”, “17 Nëntorit”, Luan Metani, kujton: “Duke qenë se pamja ballore, e hotelit, dhomat e katit të dytë, ishin me ballkone, sportistët për të tharë rrobat sportive, i vendosnin aty. Në periudhë vere, ne qëndronim, dilnim në ballkon edhe me mbathje. Ose kur dikush na thërriste, nga rruga, që i shqetësonte familjarët përballë. Vinin te sportelisti, ankoheshin, njoftoheshin trajnerët, na jepnin urdhër, por verë, vapë, pa asnjë mjet freskues, ishim të detyruar rrinim në ballkon. Po kështu edhe në mbrëmje, kur kishte fluks kalimtarësh, qëndronim në ballkon edhe për të komunikuar me miq, të njohur. Grumbullimet ishin të gjata, kushte minimale”, – shprehet Metani.

Hoteli i miqësisë, analizave dhe i filmave

Nga “armiq” në fushë, miq në atë hotel. Rivalë, kundërshtarë në ndeshje të rivalizuara, të tensionuara të kohës, së bashku në kombëtare, dhe në një dhomë në hotel “Donika”. Futbollistë, basketbollistë, trajnerë, secili prej tyre, të paktën një natë, ka patur mundësinë të jetë klient i atij hoteli. Të ngjisë, e të zbresë shkallët e tij. Në atë mjedis të vogël, pa kushte, trajnerët Loro Boriçi, Lym Alla, Ilia Shuke, Zyber Konçi, Refik Resmja, i kanë zhvilluar analizat para ndeshjes. Ndonëse sportistët i ndante një fushë, një rrjetë, një tabelë, në grumbullime i bashkonte ajo dhomë, ai korridor, ai restorant, ajo sallë, ajo derë nga hynin e dinin së bashku. Po kështu edhe për lojtarët e marrë “hua”, si Pano i “Partizanit”, i marrë nga “17 Nëntori”, ndaj “Standaratit” të Liezhit, në atë hotel ka qëndruar.

Duke qenë se mbrapa tij ishte kinema verore “Partizani”, dhomat, ballkonet e “Donikës”, kanë kanë shërbyer si ballkone, llozha për të ndjekur edhe filmat që shfaqeshin aty. Ish-futbollisti i njohur i Tiranës, Ben Bukoviku, rrëfen: “Unë zakonisht e kisha dhomën nga ajo anë dhe çdo mbrëmje ajo mbushej nga futbollistët për të parë filmin”. Ndërsa Kreshnik Agolli, kujton: “Shihnin filmi, ‘Rrugë të bardha’, sapo kishte dalë. Ora 20-22, kur shfaqej. I patëm mësuar përmendësh dialogjet. Me Lida Cangonjin, vajza e tezes e Mond Gëzdarit dhe Rikard Ljarjen”. Po në atë hotel, janë realizuar regjistrimet e filmit “Shtigje lufte”.

                     “Donika” e historive rozë

Ai hotel ka përjetuar edhe mjaft histori rozë të sportistëve, dashuritë e mëdha, të bujshme, shumë prej tyre aty e ka patur zanafillën aty. Deri edhe ato klandestine, takimet në fshehtësi, me protagonistë edhe ato ballkone, atë hotel me emrin “Donika”. Shumë sportistë aty tek ai hotel, i kanë njohjet, fillimet, shkëmbimet e para të njohjeve, me vajzat, bukuroshet e Tiranës. Jo vetëm, edhe me ato të qyteteve të tjera, që vinin për t’i takuar. Në darkë, si një xhiro, paradë demonstruese, kalonin vajzat, në pritje dhe me shpresën për të parë të dashurin, të preferuarin, sportistin e tyre, që ishte i grumbulluar te “Donika”.

Nuk kanë munguar edhe largimet fshehurazi të lojtarëve, takimet qëndrimet me vajzat, të dashurat, të fejuarat dhe pastaj kthimi në hotel, mundësisht pa u parë nga trajnerët. Deri edhe nga rrethet, vajza që vinin me tren, apo mjete të tjera udhëtuese, mjafton disa çaste, vetëm për ta takuar, parë dhe shkëmbyer shikime, me të preferuarit, simpatizantët-sportistë të grumbulluar aty. “Donika” ka qenë dhe mbetet një hotel i pasioneve pa limite, një imitim në miniaturë e “Kleinhof Hotel”  nisur nga filmi i njohur i xhiruar në Berlin, një një hotel me të njëjtin emër.

             Tifozët dhe për një dollar më shumë 

Të qenit në një rrugë kryesore, në qendër të kryeqytetit, Hotel “Donika” ishte një pikë e fortë takimi, qëndrimi edhe për tifozët, ata pasionantë, por edhe për familjarët e futbollistëve. Jo vetëm për ata që banonin, jetonin në Tiranë por, edhe për të afërm që vinin nga qytete e tjera. Për të takuar sportistët, për të marrë një biletë prej tyre, në prag të ndeshjeve. Por edhe për pak kontrabandë. Pikërisht në atë hotel, sportistët këmbenin, merrnin valutën e ndaluar, sigurisht fshehurazi, kurrë në mjediset e tij.

Gjithmonë para nisjes për një takim jashtë shtetit, aty shfaqeshin ata persona që kishin mundësinë e sigurimit në tregun e ndaluar të valutës, dollar, apo monedha floriri, apo “gjeli”, ndonëse një proces i tillë, ishte e ndaluar me ligj. Por, sportistët, artistët, ishin ata që e kanë qarkulluar, përdorur valutën e huaj, pasi ishin të vetmit që kishin mundësinë të dilnin jashtë shtetit.

              Cifti Zaçe, së bashku në atë hotel

Viti 1975, në Hotel “Donika”, janë dhe bashkëshortët Zaçe, Kushtrimi me ekipin kombëtar, në përgatitjet për Eliminatoret e Kampionatit Europian, në Republikën Federale Gjermane, ndërsa Marjeta, volejbolliste me përfaqësuesen vajzave, për në Kampionatin Ballkanik, në Greqi. “Është periudha që ka shpërthyer një fushatë e ashpër e luftës së klasave, e ndërsa po afrohet data që ekipi i djemve të niset, Kushtrimin dhe Bert Kuqon, i kanë thirrur në një dhomë të hotelit dhe pa asnjë motiv, i kanë komunikuar se nuk do të shkonin jashtë me ekipin. Disa ditë më vonë edhe unë u largova nga hoteli, u ktheva në shtëpi. Një ndër arsyet ishte, se dy njerëz të një familje, nuk mund të udhëtonin në të njëjtën kohë jashtë shtetit. U gjet si justifikim” – kujton Marjeta Zaçe, ish-rekordmenia e famshme e atletikës shqiptare, bashkëshortja e Kushtrim Zaçes së ndjerë. Por, nuk janë vetëm ata. Nga ai hotel, nuk janë lejuar të udhëtojnë, edhe trajneri Feti Borova, basketbollistët Kujtim Kasmi, Pirro Koleka, etj.

                 Nga Iljaz Çeco, te Faruk Sejdini

“Grumbullimin e parë te ai hotel, e kam kur isha 17-vjeç, kundër Holandës, më 1964, në një dhomë me Qemal Maliqatin. Gjithashtu me Gjermaninë, dy herë, Jugosllavinë, Poloninë. Po kështu edhe me ‘17 Nëntorin’ ndaj ‘Ajaksit’, me Medin Zhegën në një dhomë që bashkë me Gani Xhafën, u morëm përforcim. Të privilegjuar ishin ata me dhomat nga bulevardi. Për lojtarët e Tiranës, ishte një mjedis i njohur, pasi aty grumbulloheshin, njiheshin deri edhe me pastrueset.

Për të ngrënë për sportistët, shpesh përdorej lozha në katin e dytë, ku shtroheshin tavolinat. Aty shërbente kamerier, Bajrami, i paharruar. Gatuhej mirë, 250 lekë dita e kishim, na jepnin bono. Analizat i zhvillonim në një sallë të katit të parë. Familjarët vinin për të na takuar, por nuk futeshin. Ishte një recepsionist, që nuk i lejonte” – kujton Iljaz Çeço, futbollisti i njohur i “Dinamos” dhe Kombëtares.

Ndërsa Faruk Sejdini, mbrojtësi i “Dinamos” dhe përfaqësueses gjithashtu, kujton: “Me kombëtaren, në dhomë qëndroja me Ilir Përnaskën, Gani Xhafën, si ‘dinamovitë’. Shofer ka qenë i paharruari, Estrefi, me autobusin e ‘Partizanit’. Na priste dhe nga ai hotel, jemi nisur për në stadium, kemi barazuar 1-1 me Poloninë, fituar 3-0 me Turqinë”.

            Nga Roland Topalli te Ahmet Shqarri

Ndërsa Roland Topalli, ish -basketbollist i njohur i “17 Nëntorit” dhe i kombëtares, i rikthehet hotel “Donikës”, kur shprehet: “Aty jemi grumbulluar në takimet ndërkombëtare për Kupat e Europës, me ‘Zadarin’, ‘Jugoplastikën’, ‘Cervena Zvezdën’. Edhe me ekipin kombëtar, ku pjesa më e madhe e lojtarëve ishin nga ‘Partizani’ e ‘17 Nëntori’. ‘Donika’ për ne lojtarët e ‘17 Nëntorit’, basketbollistë e futbollistë, ishte si shtëpia jonë e dytë. Në dhomë qëndroja me Gavrosh Levonjën. Ushqim i bollshëm, dorëzonim një letër si bono”.

Lidhur me atë hotel, edhe gazetari mirënjohur Ahmet Shqarri, ka një detaj: “Isha i ri, punoja në Radio-Tirana, ka qenë shtator 1970, para takimit ‘17 Nëntori’-‘Ajaks’, me një magnetofon në krah, kam vajtur në hotel ‘Donika’, për të bërë një intervistë, ku ishte ekipi i ‘17 Nëntorit’. Ngjita shkallët në katin e dytë, në një dhomë, ku ishin të gjithë lojtarët, trajneri Alla po zhvillonte analizën. I befasuar, nuk më njihte, reagimi i tij ishte pak ashpër: ‘Gjalo ktheu nga ke ardhur’- më tha. Nuk bëra fjalë, dola. Një episod që më rikthen te ai hotel, te një intervistë e pa realizuar”.

              Nga Jani Rama te Astrit Ziu

Jani Rama, portieri i “Dinamos” dhe i kombëtares, me atë hotel, ka një moment të paharruar: “Ishim të grumbulluar për ndeshjen me Gjermaninë Perëndimore, atë të dhjetorit 1967. Dy ditë para takimit, në stadiumin ‘Dinamo’, kohë e keqe shi, në fund të stërvitjes, duke pritur një top, u përplasa me shtyllën. U dëmtova rëndë, pas urgjencës në hotel ‘Donika’, ku më kanë dhënë ndihmën mjekësore që të luaja, por ishte e pamundur. Në vendim tim u aktivizua Koço Dinella i ‘Skënderbeut’ të Korçës. Ishim të dy portierë të ‘Dinamos’, rrinim në një dhomë”.

Ndërsa Astrit Ziu, mbrojtësi i “Partizanit” dhe kombëtares gjithashtu, ka një moment historik. “Një ditë para ndeshjes me Republikën Federale Gjermane, atë të shkurtit 1971, të grumbulluar te ‘Donika’, në korridorin e tij, Loro Boriçi më tha: ‘Ziu, përgatitu, nesër do të luash’. U befasova, nuk e prisja, sepse mbrojtës i majtë, ishte Gëzim Kasmi. Kur ditën e ndeshjes, në hollin e hotelit, kur ai deklaroi formacionin,  besova. Për mua ajo ndaj Gjermanisë më 1971, ka qenë dhe mbetet ndeshja e karrierës, gjithçka e nisur, projektuar te Hotel ‘Donika’”.

Arben Çela dhe Astrit Nallbani

Ish-futbollisti i njohur i Tiranës, Ben Çela, kujtonte: “Në atë hotel për herë të parë jam grumbulluar me ‘17 Nëntorin’ ndaj ‘Standardit’ të Liezhit më 1969, në turneun në Rumani dhe me ‘Ajaksin’. Në dhomë kam qenë me Lulzim Shalën, Gëzim Kasmin. Isha i ri, shkoja ku më thonin. Kujtoj se analizat i zhvillonim në korridorin e katit të dytë. Në një tavolinë, trajneri bënte skemat me gurët e tavllës. Te ‘Donika’ nuk kishte lavanteri, rrobat tona, secili i lante në shtëpinë e tij.

Çdo mëngjes shkonim te Parku i Madh, bënim gjimnastikë, ndërsa në mesditë te ‘Qyteti i Nxënësve’. Me një autobus ‘Robur’, me shofer Safetin. Në mbrëmje ne dhoma, luanim me letra apo tavëll. Nuk kishte televizor, pak muzikë nga radioja. Për pije alkoolike as që bëhej fjalë. Në një rast Lym Alla, ja hoqi shishen e birrës nga goja, Ali Memës, që nuk pinte kurrë. Ishte shumë rigoroz, në këtë drejtim. Vetë flinte në shtëpi se e kishte afër, ndërsa Enver Shehu me futbollistët te ‘Donika’”.

Një dhomë edhe për ndihmësmjekun Osman Metanin. Kurse Astrit Nallbani, ish-portieri, “Xof-i” i Tironës siç edhe është njohur në mes vitet ‘70-‘80-të rrëfen: “Për Kupën Ballkanike, viti 1975, ishim te ‘Donika’. Si përforcim patëm marrë disa lojtarë, ndër to edhe të mirënjohurin Ilir Përnaska, golashënuesin e ‘Dinamos’. Kishte kënaqësi kur luante me ne. Kujtoj se në mjediset e ‘Donikës’ mbante fanellën e ‘17 Nëntorit’. Ndaj jugosllavëve të ‘Radniçkit’, ai realizoi katër gola, në fitoren 6-0, të ekipit tonë. Një rekord i papërsëritshëm për të, historinë dhe që i shënoi me fanellën e ‘17 Nëntorit’. Me start nga hotel ‘Donika’”.Memorie.al