Ballina Ekonomia Ndotja e Vjosës, Albpetrol tender 100 mijë euro për rregullimin e impiantit...

Ndotja e Vjosës, Albpetrol tender 100 mijë euro për rregullimin e impiantit të trajtimit të naftës në Gorisht!

10
0

Kompania “Albpetrol”, e cila është shoqëria shtetërore e naftës në kërkim dhe prodhim, ka pranuar indirekt edhe ndotjen e lumit Vjosa, i cili është shpallur Park Kombëtar në gjithë gjatësinë e tij në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo kompani ka hapur një tender për rregullimin e një impianti të trajtimit të naftës në Gorisht, në rrethin e Vlorës. Ky vendburim ka qenë me koncesion por është shtetëzuar, për shkak të problematikave të shumta të firmave private.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, “Albpetrol” ka hapur ditët e fundit tenderin me një vlerë 100 mijë euro, për të rregulluar impiantin që duhet të bënte ndarjen e naftës bruto me ujin. Por, prej shumë muajsh impianti nuk punoi duke sjellë mbushjen e kanaleve dhe përrenjve me naftë bruto, naftë e cila shkoi më pas në Lumin Vjosa.

Dokumenti i mësipërm, i hulumtuar nga VoxNews, është hapja e tenderit nga Albpetrol me objekt “blerje pajisje për impiantin e trajtimit të naftës bruto në dekantimin Gorisht”. Fondi limit është 10,470,000 lekë pa TVSH, ndërkohë që afati për zbatimin e saj është 60 ditë.

Në dokumentet shoqëruese, shkruhet se shoqëria “Albeptrol” sh.a ushtron aktivitetin e nxjerjes së naftës në vendburimet që ka në administrim Kuçovë, Patos, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Amonicë dhe Karbunarë. “Vendburimi që mban peshën kryesore të programit të nxjerrjes se naftës është vendburimi Gorisht-Kocul me 91 ton naftë në ditë. Ky vendburim ndodhet në stad të avancuar të shfrytëzimit të tij dhe sasia e fluidit që nxiret nga vendburimi gëlqeror është relativisht e lartë. Këtu kemi një përqindje të lartë të ujit në raportin naftë-ujë, ku ujë kemi 80 deri 82 %” thuhet në dokument.

Sipas tij, ndarja e ujit të lidhur me naftën është e vështirë të kryhet në kushte natyrale për shkak të përbërjes së fluideve të vendburimit. “Për të realizuar ndarjen e ujit nga nafta janë ngritur impiante me ngrohje të fluidit në temperaturë deri në 900. Impiant me ngrohje kemi në Dekantimin Gorisht. Deri në vitin 2013 ngrohja e emulsionit të naftës për ndarjen e ujit të lidhur realizohej nga dy furrat të cilat punonin me solar. Në vitet 2011 deri në vitin 2017 vendburimi Gorisht –Kocul ishte në administrim nga ‘Stream Oil & Gas’ në kuader të marrëveshjes hidrokarbure. Koncesionari ndertoi një Impiant për ngrohjen e naftës e quajtur Kaldaja Italiane me vaj të nxehtë” shkruan firma shtetërore.

Firma shtetërore thotë se pas shtetëzimit të vendburimit në janar 2017 deri në 2019-ën, trajtimi i naftës bëhej me Kaldajën Italiane dhe furrin e vjetër me solar. “Duke qenë se furri i vjetër nga amortizimi dhe koha e gjatë e përdorimit u shemb dhe Albpetrol u detyrua që të investonte duke instaluar një kaldajë tjetër me vaj të nxehtë e cila filloi punë në muajin Tetor 2019 dhe u quajt kaldaja turke. Kjo kaldajë me vaj të nxehtë ka punuar normalisht deri në datën 20 Shkurt 2025 kur pësoi një defekt me djegësin e saj, duke detyruar stafin e QPN Gorisht të ndalen puset për arsye të mospasjes së kapaciteteve depozituese në vendburim. Ndalesa e puseve zgjati te paktën deri në datën 9 mars 2025” shkruan Albpetrol. Pra, pranon se në atë vendburim ka pasur defekt ku për pasojë janë mbushur vend depozitimet. Mbetjet, më pas dyshohet se shkuan në Lumin Vjosa.