Bimët aromatike mjekësore, janë kthyer në një potencial të rëndësishëm për eksportet bujqësore që gjenerojnë të ardhura në rritje për fermerët, ekonominë lokale dhe nxitjen e punësimit. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fushat me livando në Kushovë të Gramshit.
Gramshi është një ndër zonat ku spikat kultivimi masiv i livandos, bimës aromatike dhe kurative që përveç bukurisë, përfaqëson një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët.
Parcelat e mbjella me livando në Kushovë të Gramshit, janë tashmë dhe vend tërheqës për turizmin. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livanda, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esencialë, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin. Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve.
Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.
BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se, në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve.