Ballina Ekonomia Skema kombëtare, nis ndarja e lekëve për 6000 fermerë, të tjerët në...

Skema kombëtare, nis ndarja e lekëve për 6000 fermerë, të tjerët në verifikim

8
0

Agjencia Zhvillimit Rural dhe Bujqësor ka konfirmuar se nga data 1 korrik ka nisur ndarja parave për fermerët përfitues të skemës kombëtare në bujqësi për vitin 2025.

Ardita Kuçi, drejtore e AZHBR-së, tha se 6 mijë fermerë janë përfituesit e parë të skemës pasi aplikimet e tyre kanë qenë të sakta.

“Nuk mund të them një shifër totale të përfituesve të skemës këtë vit, pasi ende jemi në verifikime. 6000 prej tyre kanë nisur nga përfitimi i fondeve, sepse aplikimet kanë qenë të plota dhe të sakta. Pjesa tjetër kanë mangësi në dokumentacion dhe ne si staf i kemi kërkuar plotësimin e dosjes”, sqaroi Kuçi në Vizion Plus.

Edhe këtë viti buxheti i skemës kombëtare ka një buxhet prej 4.4 miliardë lekësh. Por ndërkohë së shpejti pritet të hapet dhe skema e tjetër për fermerët, që është skema e investimeve. Kjo skeme aplikohet për herë të dytë.

“Këtë vit skema ka një buxhet prej 2 miliardë lekësh. 500 milionë është fondi fillestare që është vënë në dispozicion për parapagim të kontratave. Një vit më parë ne lidhëm 266 kontrata për investime të reja në fushën e bujqësisë sipas pasojë e kësaj skeme. Skema kombëtare, skema e investimeve si dhe garancia sovrane janë tre instrumente që do t’i japin një hov më shumë sektorit”, tha Kuçi në emisionin “E-ZONE”.

Mbështetja ndaj sektorit vjen në një kohë kur BE nga viti 2023 ka pezulluar programin “IPARD 3”, fonde të cilat ishin të destinuara për sektorin e bujqësisë, për shkak të disa abuzimeve të konstatuara. Nuk ka ende një afat se kur do të rihapet ky program nga strukturat europiane.