Ballina Opinion Zegjineja nga fshati dhe Kryeministri nga Kryeqyteti!

Zegjineja nga fshati dhe Kryeministri nga Kryeqyteti!

23
0

Nga Ermal Peçi

Zegjineja nga fshati nuk ka më nevojë të kërkojë ndjesë e as të viktimizohet për orgjinën e saj rurale. As për prejardhjen e as për theksin, as për fustanin e thjeshtë që s’ka firmë, por ka diku një njollë byreku nga fondet e IPARD-it. Dikur mund të ishte ndjerë inferiore, të ulte zërin kur hynte në zyrat e sheshta me ngjyra pastel, tani jo më.
Tani Zegjineja është e përzgjedhur, madje nga vetë Kryeministri. Jo nga komiteti i lagjes, as nga listat e kooperativës, por nga vetë Ai, Kryetari i PS-së, udhëheqësi i stilit të ri, kampioni i retorikës me fjalë të mëdha dhe premtime që fluturojnë më shpejt se fluturimet low-cost.

Zegjineja është përzgjedhur sepse ajo përfaqëson fshatin! Origjinën! Tokën! Rrënjët! Duke mos përjashtuar faktin që u bë virale me shprehjen “Ku je o Gazo”.

Zegjineja nuk është më një zë i turpshëm që shfaqet në Kuvend si ndonjë defekt teknik-politik i sistemit. Ajo është produkti më i rafinuar i dekadës së fundit: një përfaqësuese autentike e “popullit”, me formimin që s’e ka marrë në Sorbonë, por ulur “gju më gju me popullin”. E ftohtë dhe e drejtë, me hallet që s’kanë përkthim në anglisht.

Për habinë tonë kolektive, ajo nuk është më as “viktimë” politike. Nuk qan më, për “sa e vështirë është të jesh nga fshati”, sepse ajo e ka kuptuar që të jesh nga fshati është vlerë. Sidomos kur je vendosur në një listë emëruar nga një njeri që e quan veten nxënës të Nolit dhe Konicës, dy kolosë që, po t’i njihnin realisht dishepujt e tyre modernë, do të kishin kërkuar të hiqeshin nga çdo citim Facebook-u.

Kryeministri ynë, në mënyrën e tij karakteristike, diku mes seminarit të artit dhe kursit të marketingut politik ka bërë zgjedhjet e tij politike. Ai e thërret me një miratim të heshtur intelektual. Në stilin: “E di që nuk je akademike, por je realiteti i vendit tim”. Ai e pranon, e sheh, e përdor politikisht dhe në fund nuk e dëgjon më sepse këtë i ka mësuar Kurbani.

Zegjineja nga sot duhet t’i bëjë ballë një sfide shumë më të madhe sesa të jetë thjesht deputete apo përfaqësuese. Ajo duhet t’i bëjë ballë Konicës dhe Nolit imagjinar sigurisht. Sepse ndërsa ajo përpiqet të flasë thjesht e drejt, në tavolinën përballë, Kryeministri mban monologë për shpirtin e rilindjes, për shtetin digjital, për estetikën e qeverisjes, për iluminizmin në administratë.

Pra, ajo duhet të mos bjerë në sy si një “ku je mo Gazo”, por të imitojë Konicën e Nolin, në mënyrë që t’i hyjë në zemër nxënësit të tyre më të vetëshpallur. Duhet të lexojë Faik beun nën zë, të mësojë se “reformë” nuk do të thotë vetëm zëvendësim drejtorësh dhe që “arsimi” nuk fillon tek propaganda dhe mbaron te universiteti privat i partisë.

Ndërkohë, Kryeministri nga kryeqyteti nuk i ngatërron kurrë eruditët me popullin. Ai i mban të dy në xhepa të ndryshëm. Njërin për të recituar kur shkon jashtë shtetit dhe tjetrin për të tundur gjatë fushatës. Zegjinen për t’i treguar Evropës që “jemi me popullin”, dhe Konicën për t’i treguar popullit që “jemi me Evropën” ndërsa Nolit ti thotë atë që ai arriti kur “ The Manchester Guardian” në 1917 shkruante me superlativa për eruditin tonë, por që kohët kanë kaluar e tashmë të shkruajnë për debatet e Ramës me Farage.

Prandaj Zegjineja në këtë stad të ri politik, ka vërtet një sfidë të madhe përballë saj, por vetëm një zgjedhje: të mësojë të jetë siç është, por të flasë sikur ka kaluar të paktën tre seminare për diskursin politik, sepse duhet, të artikulojë si diplomate dhe politikane, por që të marrë vëmëndjen e Ramës e të bisedojë me të duhet tashmë të lexojë Nolin dhe Konicën.