Ballina Aktualitet Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 24 vatra, 6 prej tyre janë...

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 24 vatra, 6 prej tyre janë aktive

0
20

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 24 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ndërsa 6 prej tyre mbeten ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes thotë se zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke djegur rreth 7 hektarë tokë dhe duke shkaktuar dëme materiale në disa banesa.

Sipas të dhënave zyrtare, vatrat janë evidentuar në këto bashki: Elbasan, Finiq, Delvinë, Selenicë, Vlorë, Tiranë, Vorë, Krujë, Has, Mat, Malësi e Madhe, Kurbin, Korçë, Poliçan dhe Gjirokastër.

Zjarri vazhdon në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës.

Ministria thpote se gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.

Njoftimi i Ministrise se Mbrojtjes

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Delvinës, Selenicës, Vlorës, Tiranës, Vorës, Krujës, Hasit, Matit, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Korçës, Poliçanit dhe Gjirokastrës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

* Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.

* Në zonën midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Sot situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Vatra po monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

* Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje ndodhen efektivët e Shërbimit Vendor të MZSH të bashkisë Vlorë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

* Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i pafavorshëm e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Sot, forcat operacionale me ndihmën e 40 forcave nga FA do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.

* Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj puna për shuarjen vazhdon.

* Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Sot në mëngjes ka rifilluar operacioni për shuarjen e zjarrit me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ku si pasojë janë djegur rreth 7 hektarë.
Në tre raste – në fshatin Marqinet (bashkia Vorë), në rrugën “Perlat Rexhepi” (njësia administrative Nr.5, bashkia Tiranë) dhe në fshatin Bulgarec (bashkia Korçë) – zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale dhe 53 mjete të rënda. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 40 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje lokale të dobëta në disa qarqe.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, në shumicën e qarqeve pritet nivel “I LARTË”. Në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, por lokalisht edhe “I LARTË” në zona të caktuara si: Durrës (jug), Korçë (qendër) dhe Vlorë (veri-qendër).

Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin nga afër çdo situatë në terren.
I bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse në çdo rast.