Komisioni Evropian shënjoi veçmas sektorët e shëndetësisë, arsimit, të policisë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrave si fusha ku rreziku për korrupsion mbetet i lartë.
Në raportin e vet vjetor mbi Sundimin e Ligjit, në të cilin Komisioni Evropian vlerëson gjendjen e sundimit të ligjit në vendet anëtare dhe në vendet kandidate, të publikuar të martën, vihet në dukje se kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit “mbetet gjerësisht joefikas”.
“Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit u transferua nga Ministria e Drejtësisë te Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Korrupsionin në qershor 2024,” vëren raporti.
“Disa përpjekje janë bërë, veçanërisht në fushat me rrezik të lartë për korrupsion, por zbatimi efikas mbetet ende për t’u demonstruar,” thuhet më tutje në raport.
Policia e Shtetit, imazhi i së cilës është dëmtuar rëndë gjatë viteve të fundit nga ekspozimi i një numri zyrtarësh të lartë të përfshirë në strukturat e krimit të organizuar, zë një seksion më vete në raportin e Brukselit si shqetësim i veçantë. Raporti vëren se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ka shtuar aktivitetin e vet me referimin për ndjekje penale për 463 oficerë policie. Këto përpjekje gjithsesi konsiderohen në raport si jo të mjaftueshme dhe Policia e Shtetit konsiderohet si “ende shumë e prekshme nga korrupsioni”.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), institucioni që ka për detyrë të analizojë deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë për të parë nëse ka apo jo pasuri të pajustifikuar, nuk vlerësohet mirë në raport.
“Mangësitë mbeten në termat e efikasitetit të verifikimit të aseteve dhe interesave nga ILDKPKI, përfshirë profilet me rrezik të lartë,” shënohet në raport.
“Nuk ka pasur progres sa i përket efikasitetit të verifikimit dhe veprime të mëtejshme duket se nevojiten për të verifikuar asetet potencialisht të fshehura përmes entiteteve private apo personave fasadë,” shkruhet në raport.
Raporti vëren se keqpërdorimi i fondeve publike gjatë fushatave elektorale “mbetet shqetësim” pavarësisht iniciativës së ndërmarrë para zgjedhjete të fundit nga KQZ dhe SPAK. Raporti konsideron si “shqetësim” edhe transparencën e kufizuar në prokurimet publike, veçanërisht partneritetet publike-private, ndërsa konsideron si “joefikase” mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit të brendshëm në administratën publike, instrumente këto kyç për të garantuar që qytetarët të mos zhvaten gjatë marrëdhënieve me administratën publike.
“Rreziku i korrupsionit është i konsiderueshëm në shëndetësi, arsim si dhe brenda policisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, thuhet në raport.