Ballina Aktualitet BE, ‘shuplakë’ Sadushit e Begajt për ndërhyrjen në Kushtetuese

BE, ‘shuplakë’ Sadushit e Begajt për ndërhyrjen në Kushtetuese

0
9

Komisioni Europian i ka dhënë një shuplakë të fortë përpjekjeve të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të vënë nën kontroll në mënyrë anti-kushtetuese mandatet e gjyqtarëve kushtetues.

Në raportin për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, të publikuar ditën e sotme, Brukseli zyrtar thotë:

“Pasiguria ligjore vazhdon në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Për njërin nga rastet, Presidenti i Republikës, në rolin e tij si autoritet emërues, i drejtoi një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese për të ofruar qartësi mbi mënyrën e pajtimit të dy parimeve kushtetuese që lidhen me llogaritjen e mandateve”.

Historia e tentativave për rrëmbimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka nisur prej disa muajsh. Kuvendi i Shqipërisë shpalli procedurat për zëvendësimin e gjyqtares Elsa Toska, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen në Shtator të vitit 2024.

Gjyqtarja Toska ishte emëruar në vitin 2019 për një mandat 9-vjeçar dhe mandati i saj përfundonte në vitin 2028. Parlamenti, bazuar në praktikën rutinore dhe kushtetuese të zgjedhjes së saj, shpalli thirrjen për plotësimin e vakancës. Gjyqtari i ri do të duhet të qëndronte në detyrë deri në përfundim të mandatit të Toskës, pra në 2028.

Por, Sokol Sadushi, fillimisht duke përdorur të emëruarit e tij në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe më pas vetë, si kryetar i Gjykatës së Lartë e si drejtues i KED-it, nisi një fushatë kritikash për qëndrimin e Kuvendit, duke marrë rolin e promotorit për të nxitur një krizë të rëndë kushtetuese dhe institucionale.

Në vijim të përpjekjeve të Sadushit për të rrëmbyer mandate në Gjykatën Kushtetuese, ai vuri në lëvizje edhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për të kërkuar nga ajo gjykatë interpretimin e mandateve të të gjithë anëtarëve të saj, me qëllim ndërprerjen anti-kushtetuese të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja.

Gjyqtarja e dorëhequr, Elsa Toska ishte emëruar në detyrë për një mandat 9-vjeçar dhe i përfundonte në 2028. Gjyqtarja Sonila Bejtja u emërua në detyrë në vitin 2020, në vendin e krijuar vakant nga shkarkimi nga detyra i gjyqtarit Besnik Muçi. Ish-gjyqtari Muçi mbaronte mandatin në vitin 2028, gjë që do të thotë se edhe pasardhësja e tij, Bejtja, qëndron në detyrë deri në atë vit.

Kohëzgjatja e mandatit, por sidomos paprekshmëria e afatit, është një ndër elementët thelbësorë të pavarësisë së gjyqtarëve, siç parashikohet në Kushtetutë dhe në praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese. Dy gjyqtaret e dinin që në momentin e kandidimit për kohëzgjatjen e mandatit të tyre dhe skema për ndërprerjen e parakohshme të tyre është një lëvizje tërësisht anti-kushtetuese.

Në optikën e nxitur nga Sadushi, mandati i gjyqtareve Toska dhe Bejtja përfshihet në skemën e ripërtëritjes 3-vjeçare, pra që duhet të largoheshin tre vjet pas emërimit. Interpetimi i Sadushit është tërësisht në kundërshtim me parashikimet Kushtetuese.

Ligji Themeltar parashikon që, me qëllim ripërtëritjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, në skemën 3-vjeçare përfshihen gjyqtari, i cili i do të zëvendësonte paraardhësin që i përfundonte mandati në vitin 2017 dhe ai që do të zëvendësonte gjyqtarin, të cilit i mbaronte mandati në vitin 2020.

Në bazë të përllogaritjeve dhe vendimeve të emërimit, në këtë skemë përfshihen mandatet e kryetares në detyrë, Holta Zaçaj, mandati i së cilës u deklarua i mbaruar në mars të vitit 2025, si edhe gjyqtari Sandër Beci, mandati i të cilit mbaron në 2028. Ndërkohë, të gjithë gjyqtarët e tjerë, përfshirë edhe Toskën e dorëhequr e Sonila Bejtjan, janë pjesë e mandateve të plota.

Ndërkohë që çështja e mandateve të gjyqtarëve kushtetues ishte në hullinë normale të rutinës kushtetuese, ndërhyrjet flagrante të Sokol Sadushit, i ndjekur më pas nga Presidenti Begaj, krijuan çarje të thellë mes institucioneve vendase.

Ajo që Komisioni Europian e cilëson si “pasiguri ligjore që vazhdon në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Kuvendi dhe Gjykata e Lartë”, vjen pikërisht nga roli tërësisht anti-kushtetues dhe me notat e një puçi institucional, të ndërmarrë nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, me qëllim rrëmbimin e mandateve të gjyqtarëve kushtetues .