Nga Eduard Zaloshnja
Në mënyrë periodike, SPAK-u raporton statistika të çështjeve hetimore që ka filluar ose të çështjeve penale që ka paraqitur në gjykatë, ndërkohë që herë pas here ka bërë arrestime të bujshme kriminelësh apo zyrtarësh/politikanësh të lartë. Por diçka që nuk kapet dot nga statistikat/arrestimet publike të SPAK-ut është frika që u ka futur zyrtarëve/politikanëve dhe kriminelëve të të gjitha niveleve.
Me ndihmën e organeve ligjzbatuese perëndimore dhe të BKH-së, nën drejtimin strikt të Altin Dumanit, SPAK-u është bërë roja proverbiale e vreshtit, që me çiften plot monitoron syçelët se kush mund ta cënojë ‘vreshtin’ tonë. Ndonjëherë ‘çiftja’ e SPAK-ut ka qëlluar në mish persona që i ka lënë gjatë në qeli, pa provuar bindshëm paraprakisht se duheshin mbyllur atje (Ilir Beqja, Ilir Meta, dhe Erion Veliaj janë personat më të spikatur). Sidoqoftë, e përgjithshmja është që të gjithë zyrtarëve/politikanëve dhe kriminelëve (të të gjitha niveleve) u është futur frika se SPAK-u i monitoron si skfter!
Falë këtyre zhvillimeve, shumica dërrmuese e banorëve të rritur të vendit e vlerësojnë lart punën e deritashme të SPAK-ut.