Ballina Kuriozitete “Filmi më i madh astronomik i të gjitha kohërave”/ Observatori gjigant publikon...

“Filmi më i madh astronomik i të gjitha kohërave”/ Observatori gjigant publikon pamjet e para mahnitëse nga hapësira

63
0

Observatori Vera C. Rubin, një prej projekteve më ambicioze në historinë e astronomisë, ka publikuar pamjet e para të qiellit dhe ato janë të jashtëzakonshme.

I vendosur në Kilin qendror, në majën e Cerro Pachón, ky observator është pajisur me kamerën dixhitale më të madhe në botë, me 3200 megapikselë dhe një teleskop 8.4 metra të gjerë.

Pamjet e publikuara së fundmi përfshijnë zona ku lindin yjet, si mjegullnajat Trifid dhe Lagoon, si dhe grupin e galaktikave të njohur si Virgo Cluster, që përmban deri në 2.000 galaktika.

“Këto imazhe janë vetëm një paralajmërim i asaj që do të vijë. Ato na tregojnë universin me një qartësi të paparë më parë,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Observatorit Rubin.

Ky projekt është pjesë e iniciativës Legacy Survey of Space and Time (LSST), që do të zgjasë 10 vjet dhe synon të skanojë qiellin e natës në hemisferën jugore çdo disa net. Sipas vetë studiuesve, ky është “filmi astronomik më i madh i të gjitha kohërave”, pasi do të krijojë një film kohor (time-lapse) të ndryshimeve në univers, nga supernovat te asteroidët e padukshëm më parë.

“Me këtë teknologji, mund të vëzhgojmë edhe ndryshimet më të vogla në qiell, nga objektet ndëryjore e deri te asteroidët që kalojnë pranë Tokës,” – shton ekipi shkencor.

Në vetëm disa orë testime, janë identifikuar mbi 2.100 asteroide, duke treguar potencialin e madh të këtij teleskopi në zbulimin e rreziqeve të mundshme kozmike, por edhe në kuptimin e origjinës së universit.

Observatori mban emrin e astronomes amerikane Vera C. Rubin (1928–2016), e njohur për kontributin e saj në teorinë e materies së errët, një nga misteret më të mëdha të universit.

“Jemi në prag të një epoke të re të zbulimeve astronomike,” – deklarojnë shkencëtarët. “Ky projekt do të ndryshojë mënyrën se si e shohim universin për gjithmonë.”