Ballina Editorial Gjeli i Thethit dhe gjeli i plehut

Gjeli i Thethit dhe gjeli i plehut

0
16

Nga Luçiano Boçi 

Pasi iu dogjën plehrat e Vlorës e Elbasanit dhe bashkë me to propaganda e plehut për inceneratorët e turizmin elitar, Gjelit të plehut-Kryeministër i duhej një ngjarje me trotuare të “xanum” apo hapësira turistike nga Thethi.I doli në shteg dhe një prokurore Gjeli dhe Gjeli i plehut nuk u përmbajt më e nisi teatrin.

Ky “dashnor i ligjit” po “lufton” tani me karrike, çadrra e kabina.

Kabinat e Thethit nuk janë meteore që ranë nga qielli brenda natës.

As dhe karriket e hapësirave publike.

Aro janë aty sepse i kanë vendosur aty Becët, Dredharakët, bashkiakët.

Janë aty si dëshmi skemës banale që pjell vota sipas parimit lejo-shtëngo-prish pa pyetur për ligj.

Janë aty sepse institucionet e qeverisë nuk kanë bërë detyrën: as IKMT, as policia, as bashkia, as ministria. Pra, askush s’ka lëvizur.

Prokuroria e shkretë e tredhur dhe e gjendur midis dy zjarreve, nuk nisi procedim penal jo se i hapet barku për pronaren e tokës së Thethit, por sepse procedimi merr me vete gjithë zinxhirin e Benetit duke nisur nga IMT e përfshi polici bashkiake, administrator e vetë Becin që boll halle ka.

Ndërsa Gjeli i plehut “uturin” sikur po bën namin.

Sikur sapo ka vendosur vellon e nusërimit sot e jo që është ai që ka shpall “tokë të xanum” jugun me kriminelë strategjikë e tash don me xan dhe malet.

Ky që e di se çfarë thonë shqiptarët në tavolina e çfarë hanë në shtëpi, nuk na e paska ditur për ca kabina në Theth dhe as për mijëra karrike e tavolina kuturu.

Në vend që të kërkojë përgjegjësi nga vartësit e tij, Rama bën atë që di më mirë: kërcënon, etiketon, deformon realitetin e zullumeve të veta.

Bën zhurmë  për të hequr vëmendjen nga grabitja e pushtetit, nga korrupsioni, nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, nga kriza ekonomike e sociale e vendit.

Ai e di dhe madje e e ka ndalur.

Nga Thethi s’ka ardhur asnjë sinjal institucional për ndalim ndërtimesh. Sepse Thethi është bërë pronë propagandistike e rilindjes, jo park kombëtar.

Në këtë farsë, Gjeli i plehut kërkon nga prokuroria të bëjë rolin e gjelit për punën që s’e ka bërë shteti.

Ai pretendon ndëshkim, por nuk sjell as një letër nga IKMT.

Ai tund gishtin, por fsheh faktin që kanë ndërtuar vetë, për të vetët pa pyetur as për prokurori as për shtet, sepse kanë me vete partinë e bashkinë.

Dhe Shqipëria jonë pret drejtësi nga një karnaval që ka marrë emrin “shtet” e “kryeministër”.

Kështu që të dashur shqiptarë, kur dëgjoni gjelin e plehut të këndojë për drejtësi, mbuloni hundën, jo veshët.

Se nuk është zë shteti, por aroma e një hipokrizie që ka zënë rrënjë në çdo institucion.

Kënga e tij nuk lajmëron mëngjezin por muzgun e një drame që zgjatet e zgjatet.