Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar për të dytën ditë aksionin për lirimin e hapësirave publike në Durrës.
Sot ndërhyrja u përqendrua në lagjen nr.4, pranë Stacionit të Trenit, ku u hoqën struktura metalike dhe kioska pa leje. Aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Dy javë më parë, IKMT ndërhyri edhe tek Shkëmbi i Kavajës, duke prishur ndërtimet e paligjshme buzë detit.
Ndërkohë, edhe Policia Bashkiake ka ndërhyrë për të liruar trotuaret në bulevardin “Epidamn”. Subjekteve private iu kërkua të largonin tavolinat, çadrat dhe tendat e vendosura pa leje. Kryeministri Rama ka theksuar se “tokë e xanun” nuk do të tolerohet më në asnjë qytet.