Aktorja Jennifer Aniston është parë në ishullin spanjoll të Mallorcas në shoqërinë e trajnerit të jetës Jim Curtis.
Konkretisht, Jim Curtis e përshkruan veten si një “trajner transformues dhe hipnoterapist”, dhe më shumë se 550,000 njerëz e ndjekin atë në Instagram. Historia e tij e jetës është frymëzuese – pasi u diagnostikua me dëmtim të palcës kurrizore në vitin 1995, ai iu drejtua metodave alternative të shërimit përmes meditimit, punës mendore dhe zhvillimit personal.
Në Majorka, Aniston takoi Curtisin me miqtë e ngushtë, aktorin Jason Bateman dhe gruan e tij Amanda Anko. Ata vazhduan të kalonin kohë në një jaht luksoz, gjë që nxiti më tej spekulimet rreth një romance të mundshme.
Kjo nuk është hera e parë që ata shihen së bashku. Muajin e kaluar, paparacët i fotografuan në hotelin luksoz Ventana Big Sur në Kaliforni. Në maj të këtij viti, Aniston ndau në rrjetet sociale se po lexonte librin e Curtis, Shift: Quantum Manifestation Guide, një manual për zhvillimin e një “vetëdije të re”.
Një muaj më parë, ajo zbuloi se falë hipnozës, arriti të kapërcente frikën e saj të gjatë nga fluturimi.
“Kam bërë hipnozë dhe është tronditëse sa shumë ndihmon!” tha ajo në atë kohë.
Aktorja ka folur gjithashtu në disa raste për sfidat me të cilat është përballur në udhëtimin e saj drejt amësisë. Në një rrëfim emocional nga viti 2022, ajo zbuloi se ishte përpjekur pa sukses të ngjizej fëmijë përmes fertilizimit in vitro.
“Bëra çmos. Ishte një periudhë shumë e vështirë. Do të doja që dikush të më kishte thënë të ngrija vezët më herët, por tani është tepër vonë. Megjithatë, nuk pendohem për asgjë”, pranoi ajo.