Ballina Lifestyle Kate Middleton rrëfehet pas trajtimit për kancerin: Ishte jashtëzakonisht e vështirë

Kate Middleton rrëfehet pas trajtimit për kancerin: Ishte jashtëzakonisht e vështirë

10
0

Kate Middleton ka bërë një rrëfim emocional për jetën e saj pas përfundimit të trajtimit për kancer. Gjatë një vizite në spitalin “Colchester Hospital”, princesha e Uellsit e përshkroi si “jashtëzakonisht të vështirë” periudhën që ka kaluar.

“E vendos një ‘maskë’ të guximshme, qëndron stoike gjatë trajtimit”, tha ajo, duke shtuar: “Pastaj kur trajtimi përfundon, mendon: ‘Tani mund të rikthehem në normalitet,’ por në të vërtetë [nuk është kështu].”

Kate, 43 vjeç, sqaroi se megjithëse “nuk është më nën mbikëqyrjen e ekipit mjekësor”, ajo ndjen se “nuk është ende në gjendje të funksionojë normalisht në shtëpi”, ashtu si dikur.

Ajo nënvizoi:

“Të kesh dikë që të ndihmon të përballosh këtë periudhë, të të udhëzojë dhe mbështesë pas trajtimit… është jashtëzakonisht e vlefshme. Gjetja e një “normaliteti të ri” kërkon kohë. Ka ulje-ngritje. Nuk është një rrugë e drejtë, siç mund ta prisja, por realiteti është se kalon një periudhë të vështirë”.

Kate Middleton bëri publike diagnozën e saj, duke njoftuar se vuante nga kanceri, në mars të vitit 2024, dy muaj pasi ishte tërhequr nga angazhimet publike për t’iu nënshtruar një operacioni abdominal. Në atë kohë, ajo shkroi në rrjetet sociale:

“Unë dhe William kemi bërë gjithçka për ta përballuar dhe menaxhuar këtë situatë në mënyrë private, për hir të fëmijëve tanë”.

Çifti mbretëror kanë tre fëmijë: princin George (11 vjeç), princeshën Charlotte (10 vjeç) dhe princin Louis (7 vjeç).

Kate përfundoi trajtimin me kimioterapi në shtator 2024 dhe katër muaj më vonë, në janar 2025, njoftoi se nuk kishte “më shenja të kancerit”.

Në muajt e fundit, princesha ka nisur ngadalë të rikthehet në rolet mbretërore, duke marrë pjesë në disa evente — më së fundmi në “Trooping the Colour” në qershor.