Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë nismën e lirimit të hapësirave publike. Këtë nismë, kryeministri e ndërmori nga Vlora, qytet i cili, sipas tij është shembulli më i keq në vend në zaptimin e hapësirave publike.
Para tre ditësh, Rama iu dha një ultimatum prej 48 orësh bizneseve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike, teksa i paralajmëroi se nga e hëna “nuk do të kenë më asgjë në dorë!”
“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite! Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve e të betonarmeve, duke i tërhequr njëkohësisht “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”, ishte paralajmërimi i Ramës.
Sakaq sot, të gjitha bizneset që operojnë në Lungomare janë mbledhur për të diskutuar paralajmërimin e Ramës, ndërsa kërcënojnë se po organizohen që të vendosin një mbyllje totale të bizneseve.