Ballina Sport Reali nis një cikël të ri me Alonson, 5 yje me valixhet...

Reali nis një cikël të ri me Alonson, 5 yje me valixhet gati në verë

0
15

Vera ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Real Madridin.

Pas një merkatoje të planifikuar me kujdes dhe paraprakisht me afrimet e Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Franco Mastantuono edhe ecuria në Kupën e Botës për Klube po sjell kënaqësi për tifozët madrilenë.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, “Los Blancos” synojnë të mposhtin PSG-në për të siguruar finalen e turneut. Ish-tekniku i Bayer Leverkusen ka sjellë një frymë të re, duke u besuar elementëve që më parë ishin në hije nën drejtimin e Ancelottit.

Zbulimi më i madh i këtij fillim sezoni është Gonzalo García, sulmuesi 21-vjeçar, që deri dje luante me Castilla-n, është tani golashënuesi më i mirë i Realit në turne, me 4 gola. Po ashtu, Dean Huijsen është integruar shpejt në ekip, ndërsa Arda Güler dhe Fran García po tregojnë gjithë potencialin e tyre.

Por këto zhvillime pozitive për disa, mund të përkthehen në lajme të këqija për të tjerë. Sipas “Sport”, pesë emra të rëndësishëm rrezikojnë të dalin jashtë planeve teknike të Alonsos. Rodrygo është më i prekuri, pasi nuk bën më pjesë në projektin taktik të trajnerit spanjoll, ndërsa edhe Endrick mund të vuajë konkurrencën e fortë të Gonzalo Garcías.

Në mesfushë, Dani Ceballos ka përfunduar sërish në hije, me Arda Güler që po fiton terren dita-ditës. Në mbrojtje, David Alaba dhe Ferland Mendy ndihen të kërcënuar nga paraqitjet e shkëlqyera të Huijsen dhe Fran García, ndërsa afrimi i afërt i Alvaro Carreras mund ta bëjë edhe më të pasigurt të ardhmen e Mendy-t.