Egnatia kthehet sot në fushë për aventurën e saj të dytë radhazi në Champions League (21:00). Kampionët e Shqipërisë do përballen kundër Breidablik, skuadrës nga Islanda, në turin e parë kualifikues. Për herë të parë në histori një përballje e tillë do luhet në stadiumin e Rrogozhinës, ku priten 5 mijë tifozë.
Trajneri Edlir Tetova ka folur në prag të sfidës, duke theksuar rëndësinë e përgatitjeve dhe nivelin e lartë të kundërshtarëve.
“Nuk ka ekip modest në Champions League. Është Champions, sigurisht marrin pjesë më të mirat e çdo vendi. Nuk ka vend për nënvlerësim”, u shpreh Tetova në konferencën për shtyp.
Trajneri i rrogozhinasve u shpreh i kënaqur me fazën përgatitore, duke theksuar faktin se skuadra ka qenë në gjendje optimale dhe pa dëmtime serioze.
“Mendoj se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Në këtë fazë gjithmonë është e rëndësishme të mos kesh dëmtime dhe ne fatmirësisht nuk kemi pasur. Përjashtim ka qenë Bakayoko, i cili është kthyer në stërvitje me grupin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen”, shtoi ai.
Egnatia do të kërkojë të kapërcejë këtë fazë dhe të shkruajë një tjetër faqe historike për klubin, në një kompeticion ku çdo detaj ka rëndësi. Sfida ndaj Breidablik pritet të jetë e fortë, por skuadra shqiptare duket e motivuar për të bërë një hap përpara në arenën ndërkombëtare.