Ballina Opinion Shtet si spektakël: Kur Kryeministri performon ligjin që nuk zbatohet!!!

Shtet si spektakël: Kur Kryeministri performon ligjin që nuk zbatohet!!!

14
0

Nga Neli Demi 

Ka një skenë që po përsëritet gjithnjë e më shpesh në jetën politike shqiptare: Kryeministri Edi Rama shfaqet papritur në ndonjë qytet të vendit, ecën rrugëve të shoqëruar nga kamera dhe policë, identifikon një problem urban, zakonisht zaptimin e një hapësire publike dhe vendos aty për aty: “Hiqeni!” Dhe menjëherë nis “aksioni”.

Ky lloj veprimi, që për nga forma ngjan me një reality-show autoritar, është shfaqur herë pas here përgjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes socialiste. Por sa herë përsëritet, përmban një ngërç më të madh dhe e nxjerr në pah një të vërtetë të dhimbshme: në Shqipëri nuk kemi ndërtuar një shtet që funksionon, por një teatër që simulohet sa herë që pushteti ka nevojë për një akt të ri.

Zbatimi i ligjit tek ne është kthyer në një spektakël personal. Në një vend normal, zbatimi i ligjit nuk është lajm. Nuk është video. Nuk është performancë. Është proces. Ka institucione që reagojnë ndaj ankesave të qytetarëve, ka inspektorate që kontrollojnë, ka procedura të qarta, ka ndëshkime të drejta dhe të parashikueshme. Por në Shqipëri, ligji duket se ekziston vetëm kur e artikulon me zë të lartë Kryeministri dhe vetëm kur kamera e ndonjë televizioni është ndezur.

Kjo është zbrazje e shtetit nga përmbajtja dhe mbushje e tij me simbolikë personale. Rama nuk drejton një qeveri që funksionon, ai performon një shtet që nuk ekziston. Ai e shfaq vetveten si ndërmjetësin mes qytetarit dhe ligjit, si rregulluesin e drejtpërdrejtë të padrejtësive, një model që nuk është reformues, por autokratik në thelb.
Pse tani? Dhe pse gjithmonë pas zgjedhjeve apo skandaleve?

Është gati e frikshme të vësh re se këto “aksione spontane” për zaptimet urbane ndodhin me një rregullsi të çuditshme: gjithmonë pas zgjedhjeve ose pas një skandali që rrezikon imazhin. Këtë herë ishin po zgjedhjet por edhe djegiet ndotëse në Vlorë, Durrës e Elbasan. Është sikur pushteti ndien nevojën të rikonfirmojë veten, të riprodhojë imazhin e tij moral pas një procesi elektoral apo ndodhie që shpesh lë pas vetes vetëm zhgënjim dhe mosbesim.

Por këto nuk janë veprime të reja. Qytetarët i kanë ngritur vazhdimisht ankesat për betonin që u merr trotuaret, për kafenetë që zënë çdo cep, për arrogancën urbane të klientëve të pushtetit. Në pallatin ku banoj një pronar bar-kafeje filloi duke nxjerrë disa karrige e tavolina, e si ai eksperimenti i bretkosës në ujë që gradualisht shkon në temperaturë vlimi, ndërton një “lokal të dytë” në rrugët në mes pallateve. Banorët reagojnë, administratori reagon, vijnë polici bashkiake dhe rendi duke ja hedhur topin njëri tjetrit. Asnjë përgjigje. Askush nuk dëgjon. Tani banorët e pallatit janë bërë klientët më besnikë të atij zaptimi. Derisa, papritur, kamera ndizet dhe “shteti” zbritet në shesh për të “zbatuar” ligjin.

Kjo është jo vetëm hipokrizi, por manipulim emocional i qytetarëve. U lëshon një akt të menjëhershëm drejtësie që të duket si fitore për popullin, por që nuk ndryshon asgjë në sistemin që e prodhon padrejtësinë.

Copycats dhe kultura e frikës
Kur këtë model e ndjekin edhe të tjerë siç ndodhi me ministrin e Brendshëm Hoxha, i cili po ashtu bëri një performancë copycat në rrugët e Tiranës duke dhënë “mësime”, atëherë ajo që kemi nuk është më thjesht spektakël, por shëndrim i pushtetit në regji qendrore të imazhit.

Në këtë model, çdo ministër, çdo kryetar bashkie, çdo drejtor, imiton liderin, jo për të zbatuar ligjin, por për t’u dukur se po e bën. Dhe rezultati është një kulturë frike, jo rendi ku qytetari nuk e di më çfarë është e lejueshme apo e ndaluar, por e ndien veten të pambrojtur përballë vullnetit të papritur të pushtetit.

Në këtë vend ligji zëvendësohet me vullnetin e liderit. E gjitha kjo ngre një pyetje thelbësore: A kemi shtet ligjor apo një shtet autokrat ku ligji zbatohet vetëm kur e thotë Kryeministri? Nëse ligji është aty vetëm për t’u thyer me leje, apo për t’u zbatuar me urdhër politik, atëherë nuk kemi më shtet, por një pushtet që zëvendëson institucionet me individin.
Kur një njeri vendos për gjithçka, nuk ka rëndësi më nëse ai ka qëllime të mira apo jo. Rëndësi ka që askush tjetër nuk ka asnjë fuqi reale për të vepruar. Dhe kur kjo ndodh, e gjithë shoqëria hyn në një regjim të heshtur të mosfunksionimit: qytetarët nuk ankohen më, sepse nuk i dëgjon njeri. Institucionet nuk reagojnë më, sepse presin urdhrin. Dhe media nuk hulumton më, sepse i mjafton imazhi.

Tashmë jetojmë në epokën e performancës dhe jo të reformave. Në fund të ditës, ajo që po shohim nuk është një reformë urbane, por një koreografi e kontrolluar e pushtetit mbi realitetin. Është një mënyrë për të thënë: “Unë jam i vetmi që mund të bëjë rend”, duke harruar se detyra e qeverisë nuk është të japë spektakël, por të ndërtojë rregull institucional që funksionon edhe kur lideri nuk është aty.

Deri atëherë, ajo që ndodh në rrugët tona nuk është drejtësi, por regji. Dhe publiku shqiptar është i detyruar të jetë spektator i një shfaqjeje që nuk ndryshon kurrë fundin.