Akropoli në Athinë do të mbyllet gjatë orëve më të nxehta të ditës sot, njoftoi Ministria e Kulturës në Greqi, për shkak të valës së të nxehtit që ka goditur vendin, me temperatura që arrijnë në 42 gradë Celsius në disa zona.
Turistët nuk do të jenë në gjendje të vizitojnë Partenonin dhe vende të tjera në Akropol midis orës 13:00 dhe 17:00 sipas orës lokale, tha ministria. Greqia bën pjesë në hartën e vendeve evropiane dhe të Mesdheut që në 10 ditët e fundit është goditur nga vala e të nxehtit ekstrem.
Masa e Ministrisë së Kulturës, vjen në kuadër të udhëzimeve për të ruajtur punëtorët, qytetarët dhe turistët e shumtë që frekuentojnë sitet historike të kryeqytetit grek.
Ditët e fundit, autoritetet greke janë përballur edhe me vatra të shumta zjarresh, të cilat janë amplifikuar nga i nxehti ekstrem.