Ballina Rajoni Vrau bashkëshorten në Greqi/ Gjykata merr vendimin për shqiptarin, ja sa vite...

Vrau bashkëshorten në Greqi/ Gjykata merr vendimin për shqiptarin, ja sa vite burg u dënua

19
0

Një gjykatë greke ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm një 44-vjeçar me origjinë shqiptare, për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij 31-vjeçare, ngjarje e ndodhur më 30 korrik 2021 në zonën Dafni të Athinës.

Sipas aktit të ekspertizës mjekoligjore, viktima, Anisa, u godit dy herë me thikë në qafë teksa ndodhej e shtrirë në krevat, pa mundur të reagojë. Autori përdori një thikë kuzhine me gjatësi 28 centimetra për të kryer krimin.

Gjykata greke vendosi dënimin maksimal për të pandehurin: burgim të përjetshëm, si dhe 24 muaj shtesë, pa asnjë ulje apo lehtësim penal.

Autori kishte në pronësi një lokal fast-food në zonën Haravgji të Athinës dhe jetonte me bashkëshorten dhe djalin e tyre të vogël. Sipas dëshmive të fqinjëve, marrëdhënia mes çiftit ishte e tensionuar, me debate të shpeshta dhe episode dhune. Shpeshherë, viktima kishte kërkuar ndihmë duke bërtitur nga ballkoni.

Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri tentoi të justifikojë aktin duke akuzuar viktimën për një lidhje jashtëmartesore, pretendim që nuk u provua dhe u hodh poshtë nga trupi gjykues.

Avokati i familjes së viktimës deklaroi se sjellja e autorit u konsiderua plotësisht e dënueshme dhe se gjykata nuk njohu asnjë rrethanë lehtësuese.

“Ky vendim nuk mund të rikthejë jetën e humbur, por dërgon një mesazh të fortë drejtësie dhe besimi në shtetin ligjor,” u shpreh ai në një deklaratë për mediat.

DËSHMIA E AUTORIT

Në dëshminë e tij pas krimit, 44-vjeçarit me origjinë shqiptare, e paraqiti aktin e tij si një moment “errësimi mendor”, duke ia atribuar pjesërisht përgjegjësinë edhe viktimës.

“Jam i shkatërruar shpirtërisht dhe i penduar që në sekondën e parë pas asaj që ndodhi”, tha ai, duke shtuar se menjëherë pas krimit u vetëdorëzua në polici, ku rrëfeu gjithçka.

Ai theksoi se nuk kërkon vetëm falje ndaj autoriteteve, por mbi të gjitha “ndaj prindërve të gruas sime dhe fëmijës tonë të vetëm”.

44-vjeçari pretendonte se nuk arriti të kontrollonte veten, duke përshkruar se kishte vendosur një pajisje për regjistrimin e zërit në shtëpi dhe se kishte dëgjuar regjistrime që e kishin “çmendur”.

“M’u errësua mendja. Nuk dija çfarë bëja”, tha ai, duke përmendur se regjistrimet përmbanin episode të një lidhjeje jashtëmartesore të bashkëshortes, akuza që nuk u vërtetuan kurrë dhe u refuzuan nga Gjykata.

Si provë, ai dorëzoi një USB me biseda të gruas së tij me një person të tretë, duke tentuar të legjitimojë pretendimet për tradhti. Sipas tij, “nuk e përballoja dot që gruaja që e doja të bënte gjëra të tilla në shtëpinë tonë, madje në dhomën e fëmijës”.

Autori përshkroi me detaje tmerruese momentin e vrasjes, duke pohuar se hyri në dhomë me një thikë 28 centimetra të gjatë dhe e goditi dy herë në qafë ndërkohë që ajo flinte.

Ai rrëfeu se i mbylli gojën me dorë për të mos bërtitur dhe se pasi ajo pushoi së rezistuari, u largua, la thikën pranë trupit dhe pastroi gjakun nga duart.

Në një përpjekje për të minimizuar përgjegjësinë e tij, 44-vjeçari pretendoi se debatonin shpesh, se ajo kishte kërkuar divorc dhe se ajo e ofendonte dhe e godiste fizikisht. Megjithatë, këto pretendime nuk u konfirmuan gjatë hetimit apo nga dëshmitarët.

Gjykata nuk e pranoi asnjë nga justifikimet e autorit, duke theksuar se ai kishte vepruar me vetëdije të plotë dhe se sjellja e tij ishte plotësisht e dënueshme. Asnjë lehtësim nuk iu njoh.