Ballina Sport Aksidenti tragjik i Diogo Zhota, policia zbardh detaje të reja mbi ngjarjen

Aksidenti tragjik i Diogo Zhota, policia zbardh detaje të reja mbi ngjarjen

9
0

Kanë dalë në dritë detaje të reja në lidhje me aksidentin që i mori jetën Diogo Zhotës 6 ditë më parë. Deri tani, të gjitha dëshmitë rrëfejnë se ishte pikërisht futbollisti portugez në timonin e Lamborginit gjatë aksidentit tragjik.

E madje, sipas policisë spanjolle, ai dyshohet se po e drejtonte automjetin me shpejtësi mbi kufirin e lejuar. Lojtari 28-vjeçar i Liverpulit ndërroi jetë bashkë me të vëllanë, Andre Silva, pas aksidentit në provincën Zamora, në veriperëndim të Spanjës, në orët e para të së enjtes së kaluar.

Sipas policisë, njëra nga dy gomat e pasme të veturës sportive shpërtheu gjatë një parakalimi. Kjo bëri që vetura të rrëshqiste, të çante një mbrojtëse anësore të rrugës, të rrokullisej dhe menjëherë të merrte flakë.

Policia spanjolle, “Guardia Civil” bëri të ditur se automjeti pati një manovër parakalimi në autostradë kur doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë. “Nga të dhënat e deritanishme, gjithçka tregon se ka pasur tejkalim të shpejtësisë së lejuar”, ka thënë policia lokale rrugore e Zamorës, mbi hetimet paraprake.

Autoritetet theksuan se, bazuar në gjurmët e gomës së Lamborginit, të gjitha provat e mbledhura thonë se Zhota ishte drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit. Ndërkaq, një raport ekspertize po përgatitet, por hetimet janë bërë më të ndërlikuara për shkak të intensitetit të zjarrit që shkrumboi veturën.