Arsenali ka bërë kontakt zyrtar me Chelsean për transferimin e anësorit Noni Madueke.
Sipas BBC Sport, “Topçinjtë” tashmë kishin arritur marrëveshje për kushtet personale me Madueke javën e kaluar, përpara çdo lëvizjeje të mundshme, por tani kanë bërë një qasje zyrtare.
Kuptohet se Chelsea kërkon një shumë rreth 50 milionë funte për 23-vjeçarin, i cili është pjesë e përfaqësueses së Anglisë.
Aktualisht, Madueke është me skuadrën e Chelseat në Kupën e Botës për Klube dhe u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen kundër Fluminense, të cilën Chelsea e fitoi 2:0 për të kaluar në finale.
Anësori ka luajtur 92 ndeshje për Chelsean që kur iu bashkua klubit nga PSV Eindhoven në janar të vitit 2023, duke shënuar 20 gola.
Më parë, Madueke ishte pjesë e akademisë së Tottenhamit përpara se të kalonte katër vite e gjysmë në Holandë.
Arsenali po synon të forcojë repartin ofensiv, me dy emra të tjerë që janë duke u konsideruar: anësori i Real Madridit, Rodrygo, dhe sulmuesi i Crystal Palace, Eberechi Eze.
Po ashtu, klubi londinez ka intensifikuar përpjekjet për të nënshkruar me sulmuesin Viktor Gyökeres, ku drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Sportingun në Portugali.