Ballina Bota Delegacioni i diplomatëve europianë dëbohet nga Libia

Delegacioni i diplomatëve europianë dëbohet nga Libia

13
0

Të dëbuar me urdhrin “të largohen menjëherë nga territori i Libisë” dhe të shpallur “të padëshiruar“. Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi, së bashku me homologët e tij të Maltës, Byron Camilleri, dhe të Greqisë, Thanos Plevris, si dhe komisionerin europian Mark Brunner, të cilët sot kishin planifikuar një takim me ministrat e gjeneralit Haftar, u ndaluan sapo mbërritën në aeroport dhe u urdhëruan të largohen menjëherë nga vendi.

Kjo u bë e ditur zyrtarisht nga qeveria e Osama Hamad, kryeministër i Cirenaikës, që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, por me të cilin Italia dhe BE kanë pasur marrëdhënie prej kohësh, përmes një deklarate me tone jashtëzakonisht të ashpra, raporton La Reppublica.

Ministrat dhe komisioneri i BE-së kishin planifikuar një takim të dyfishtë, fillimisht me Trabels, ministrin e Brendshëm të Tripolit, dhe më pas me homologun e tij në Cirenaikë. Qëllimi ishte të kërkonin më shumë përpjekje për ndalimin e nisjeve të emigrantëve. Por nëse takimi me qeverinë e Dbeibeh shkoi normalisht, diçka me qeverinë e Hamad duhet të ketë shkuar keq para takimit.

Piantedosi, ministrat e tjerë dhe komisioneri u akuzuan zyrtarisht jo vetëm për shkelje të rregullave diplomatike dhe konventave ndërkombëtare dhe për “veprime që përbëjnë mungesë respekti ndaj sovranitetit kombëtar të Libisë”, por edhe për “mospërmbushje të procedurave që rregullojnë hyrjen, qarkullimin dhe qëndrimin e diplomatëve të huaj“. Me fjalë të tjera, për hyrje të paligjshme.

Si pasojë, vizita e planifikuar u anulua menjëherë dhe të tre ministrat u ndaluan sapo mbërritën në aeroport dhe u kthyen mbrapsht, pasi u konsideruan “të padëshiruar në territorin e Libisë”.

Viminale: “Keqkuptim protokollar”

Sipas burimeve nga Viminale (Ministria e Brendshme e Italisë), bëhet fjalë për një “keqkuptim protokollar të menaxhuar keq nga përfaqësia italiane”, që solli ndërprerjen e misionit diplomatik të ministrit Piantedosi në Bengazi, Libi. Sipas tyre, “problemi nuk ka të bëjë aspak me përfaqësuesit italianë apo me marrëdhëniet dypalëshe me Italinë”.

Versione që kundërshtojnë njëra-tjetrën

Aktualisht, nuk ka detaje të qarta për “keqkuptimet protokollare”. Por në mënyrë jozyrtare qarkullojnë disa versione për incidentin. Njëra thotë se “keqkuptimi” erdhi për shkak të qëndrimit të fortë të komisionerit të BE-së, i cili nuk e pëlqeu praninë në aeroport të një delegacioni zyrtar të qeverisë së Libisë, të panjohur ndërkombëtarisht. Pranimi i një mirëseardhjeje zyrtare do të nënkuptonte njohjen e tyre – diçka që Brunner refuzoi ta bënte.

Të tjera burime hedhin fajin mbi Greqinë: marrëdhëniet mes Athinës dhe Bengazit kanë qenë të tensionuara për shkak të rritjes së emigrantëve që mbërrijnë nga Tobruku. Por disa burime sugjerojnë se të dielën kishte shenja pajtimi gjatë një takimi mes Khalifa Haftar dhe ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.

Një tjetër version thotë se zemërimi më i madh është ndaj Italisë, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë, sepse Italia nuk ka treguar mjaftueshëm mbështetje publike për Cirenaikën dhe Haftarin. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, i vënë në pozitë të vështirë, u mjaftua me komentimin: “Do të flas me Piantedosi sa më shpejt të jetë e mundur për atë që ndodhi”.