Piku i sezonit turistik në vend ka dhënë efektet e para në monedhën europiane.
Nëse shohim të dhënat e Bankës së Shqipërisë vërehet se që prej datës 1 korrik një euro është këmbyer me 97 lekë duke pësuar një zhvlerësim konstant, por minimal.
Por nëse bëjmë një krahasim të kursit të këmbimit euro-lek me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se monedha europiane është dobësuar me më shumë se 3 pikë.
Në 10 ditët e para të korrikut të viti të kaluar një euro është këmbyer me mbi 100 lekë.Banka e Shqipërisë e lidh këtë tendencë të forcimit të lekut me shtimin e eurove në qarkullim nga turizmi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në muajt e parë Shqipëria priti 3.42 milion shtetas të huaj.
Po ashtu në forcimin e lekut ka dhënë efekte edhe rritja e investimeve të huaja, remitancat.
Ndërsa vetëm në 5 muaj trasaksionet në euro në ekonominë shqiptare arritën vlerën 2.4 miliardë euro. Këto shifra konfirmojnë vlerën e lartë të monedhës europiane në ekonominë shqiptare në një kohë që euro qëndron nën kufijtë e 98 lekëve.
Por pavarësisht këtyre luhatjeve duket se tregu i brendshëm valutor është futur në një normalitet të ri, pasi gradualisht po zbehen edhe luhatjet e forta sezonale në këmbimin e euros me lekun.