Fermerët që do të ndërtojnë agroturizëm, mund të përfitojnë falas gjysmën e investimit nga shteti. Qeveria ka ndryshuar skemën e subvencioneve, që jepen nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural duke shtuar zëra të rinj, që financohen si agroturizmet, serat dhe rritja e kapaciteteve prodhuese.
Sipas vendimit të qeverisë, investimet në agroturizëm do të financohen me një masë përfitimi në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë 15 milionë lekë për subjekt.
E njëjta skemë subvencioni do të përdoret edhe për investimet në akuakulturë, mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore e blegtorale, ndërtimin e serave si dhe ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe të stabilimenteve për rritjen e shpendëve, përfshirë pajisjet apo sistemet e nevojshme të tyre.
Përvecc shtimit të këtyre zërave, vendimi i qeverisë ka dhe një risi, pasi u financon fermerëve që bëjnë investime të reja 30 për qind të përfitimit në avancë.
“Përfituesve të financimit nga masat e mbështetjes së investimeve pas lidhjes së kontratës u paguhet paraprakisht deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka,” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sipas vendimit, qeveria ka programuar një fond prej 2 miliardë lekësh për të subvencionuar investimet private në bujqësi./ kapital