Ballina Bota ​Jemeni pritet të ekzekutojë një infermiere indiane, si po mundohen ta shpëtojnë...

​Jemeni pritet të ekzekutojë një infermiere indiane, si po mundohen ta shpëtojnë atë aktivistët

13
0

Një infermiere indiane, e cila ndodhet në rreshtin e të dënuarve me vdekje në Jemenin e shkatërruar nga lufta, pritet të ekzekutohet më 16 korrik, kanë bërë të ditur për BBC aktivistët që po përpiqen ta shpëtojnë atë.

Nimisha Priya është dënuar me vdekje për vrasjen e një burri vendas, ish-partnerit të saj të biznesit, Talal Abdo Mahdi, trupi i të cilit u gjet në një depo uji në vitin 2017.

Mënyra e vetme për ta shpëtuar atë është nëse familja e Mahdit e fal. Të afërmit dhe mbështetësit e saj kanë ofruar 1 milion dollarë si diyah, apo “para gjaku”, për t’iu dhënë familjes së Mahdit.

“Ende po presim faljen e tyre apo ndonjë kërkesë tjetër”, i tha BBC-së një anëtar i Këshillit “Shpëtoni Nimisha Priya”.

“Data e ekzekutimit është bërë e ditur nga drejtori i përgjithshëm i prokurorisë për autoritetet e burgut. Ne ende po përpiqemi ta shpëtojmë. Por në fund të fundit, familja duhet të japë faljen”, tha Babu John, aktivist social dhe anëtar i këshillit.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Indisë i tha BBC-së se ata ende po përpiqen të konfirmojnë detajet.

Nimisha Priya kishte lënë shtetin jugor indian të Keralës për të shkuar në Jemen në vitin 2008 për të punuar si infermiere.

Ajo u arrestua në vitin 2017 pasi u zbulua trupi i Mahdit. Tridhjetë e katër vjeçarja aktualisht ndodhet në burgun qendror të Sanaa-s, në kryeqytetin e Jemenit.

Ajo u akuzua për vrasjen e Mahdit duke i dhënë një “dozë të tepruar qetësuesish” dhe për copëtimin e trupit të tij.

Nimisha mohoi akuzat. Në gjykatë, avokati i saj argumentoi se Mahdi e kishte torturuar fizikisht, i kishte marrë të gjitha paratë, ia kishte konfiskuar pasaportën dhe madje e kishte kërcënuar me armë.

Ai tha se ajo kishte tentuar ta anestezonte Mahdin vetëm për t’ia marrë pasaportën, por doza ishte rritur aksidentalisht.

Në vitin 2020, një gjykatë lokale e dënoi me vdekje. Familja e saj e apeloi vendimin në Gjykatën Supreme të Jemenit, por ankesa u refuzua në vitin 2023.

Në fillim të janarit, Mahdi al-Mashat, president i Këshillit Politik Suprem të rebelëve Huthi, e miratoi ekzekutimin e saj.

Sistemi gjyqësor i Jemenit, i njohur si Sheriat, i jep një shpresë të fundit, sigurimin e faljes nga familja e viktimës përmes pagesës së gjakut.

Nëna e Nimishës, një punëtore e varfër shtëpiake nga Kerala, ndodhet në Jemen që disa kohë në një përpjekje të fundit për ta shpëtuar të bijën.

Ajo ka emëruar Samuel Jerome, një punëtor social me bazë në Jemen, për të negociuar me familjen e Mahdit.

Një grup lobues i quajtur “Këshilli Ndërkombëtar i Veprimit për Shpëtimin e Nimisha Priyas” po mbledh fonde përmes platformave të donacioneve, dhe Jerome ka thënë se 1 milion dollarë janë ofruar për familjen e Mahdit.