Presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të qëndrojë pranë fqinjëve të saj evropianë, pavarësisht daljes nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se “ne do ta shpëtojmë Evropën me shembullin dhe solidaritetin tonë.”
Gjatë një vizite shtetërore tre-ditore në Londër, e para nga një udhëheqës i BE-së që nga Brexit-i, Macron është pritur nga Mbreti Charles dhe ka zhvilluar takime të rëndësishme me liderët britanikë, përfshirë kryeministrin Keir Starmer.
Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin britanik, Macron deklaroi: “Mbretëria e Bashkuar dhe Franca duhet t’i tregojnë botës se aleanca jonë mund të bëjë ndryshimin.”
“Franca dhe Mbretëria e Bashkuar përfaqësojnë një rend botëror të bazuar në ligj, drejtësi dhe respekt për integritetin territorial – një rend që sot po sfidohet çdo ditë.”
Macron vuri në pah se sfidat globale si siguria, konkurrueshmëria, demokracia dhe migracioni janë të ndërlidhura dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes shteteve: “Edhe pse Britania është larguar nga BE-ja, nuk mund të qëndrojë mënjanë,” – theksoi ai.
Presidenti francez foli edhe për sfidën e migracionit, duke kërkuar zgjidhje të përbashkëta dhe humane: “Shpresa për një jetë më të mirë është legjitime,” – tha Macron.
“Asnjë vend nuk duhet të lejojë që grupet kriminale të shpërfillin ligjet dhe të shfrytëzojnë njerëzit.”
Pavarësisht marrëveshjeve për patrullime dhe shkëmbim informacioni, numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez ka vijuar të rritet. Vetëm në vitin deri në mars 2025 janë regjistruar 44,125 kalime të paligjshme, një rritje prej 14% nga viti i kaluar.
Në këtë vizitë, Macron dhe Starmer kanë diskutuar edhe për krijimin e një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse për Ukrainën, e cila do të mbështesë një armëpushim të mundshëm me trupa dhe pajisje evropiane.
Macron theksoi se ky bashkëpunim është i domosdoshëm përballë “një bote të rrezikshme”, duke bërë thirrje për forcimin e ekonomisë dhe mbrojtjes evropiane, si dhe zvogëlimin e varësisë nga SHBA dhe Kina.