Aksion për të cilin Kikia u shpreh se po bëhet për të krijuar lajme pasi me mbylljen e sesionit parlamentar stina e verës konsiderohet si e varfër. Analisti Mentor Kikia ka folur në një intervistë televizive në lidhje me aksionin e bashkive për lirimin e hapësirave publike pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama.
Më tej Kikia shprehet se lirimi i këtyre hapësirave që po mbysin qytetet nuk mund të bëhet me aksione, por falë një pune të përditshme dhe sipas tij ndërhyrja në sezon është e pajustifikuar.
Duke iu referuar ndërhyrjes së policisë në Theth, Kikia deklaron se prishja e objekteve përveçse ka një kosto, nga ana tjetër pasojat në mjedis janë të parikuperueshme.
Mentor Kikia:
“Zakonisht vera është një stinë e varfër për lajme, sidomos me mbylljen e Parlamentit. Për të paktën prej 5 ditësh është në treg lajmi i ultimatumit apo nisjes së një operacioni të Policisë së Rendit dhe bashkiakes në disa qytete, për lirimin e hapësirave publike. Aksioni nisi në Vlorë, në një qytet që kishte ankesa të shumta. Pamë disa angazhime të kryeministrit Rama në disa rrugica të qytetit, kishte tenda e me radhë. Aksioni i nisur në Vlorë nuk mbeti aty, edhe pse Vlora ishte fillesa. U shoqërua me ndërhyrjet e kryeministrit në atë që e quajti vetëpastrim i administratave të bashkive. Me gjasë nuk do të përfundojë me kaq.
Qytetet kanë nevojë për frymëmarrje, ndërhyrja duhet të jetë edhe më drastike. Kanë ngushtuar në mënyrë dramatike hapësirën e qytetarit. Hapësirat publike mungojnë. Nuk e di se sa ky operacion do të çojë realisht në lirimin e hapësirave publike. Nuk duhet të ndalohet vetëm me heqjen e tendave dhe karrigeve, duhet liruar hapësira. Shteti nuk duhet të funksionojë me aksione, është përgjegjës për zbatimin e ligjit verë dhe dimër, para dhe pas zgjidhjeve. Një operator duhet ta dijë që nuk mund ta vendosë karrigen dhe tavolinën në trotuar. Për 35 vite kemi funksionuar vetëm me fushatë. Nëse nuk funksionojmë me ligje do të ngrihen sërish karriget dhe tavolinat.
Ndërhyrja në sezon e pajustifikuar. Ajo që ndodh në Theth lidhet me gjithë territorin e vendit, ata njerëz jetojnë në tokat e tyre, por nuk janë pajisur me certifikatë, që duhet ta japë shteti. Pasoja në mjedis nuk rikuperohet. Nga investimet e paligjshme që shkatërrohen nga shteti pas mbetet kostoja financiare. Shteti të gjejë mënyrën e bashkëpunimit me individin që të mos i shpenzojë paratë në diçka të paligjshme”.