97% e kredive që kanë marrë individët në banka, shlyhet rregullisht, cka konfirmon se vetëm një pjesë shumë e vogël e qytetarëve hasin vështirësi me pagesat e kësteve. Të dhënat e Bankës e Shqipërisë, tregojnë se kreditë me probleme tek individët janë ulur në 2.9%, nga 3.4% që ishin vit më parë.
Në krahasim me bizneset, segmenti i individëve kurdoherë ka pasur më pak probleme me huat, për shkak të ekspozimit më të vogël ndaj rrezikut.
Gjithashtu, duke qenë se pjesa më e madhe e portofolit konsiston në kredi për blerjen e banesave, angazhimi i huamarrësve ndaj shlyerjes së detyrimeve në përgjithësi është i madh.
Megjithatë, edhe shlyerja tek bizneset vazhdoi përmirësimin vitin e kaluar. Raporti i kredisë me probleme në segmentin e bizneseve zbriti në 5.1%, nga 5.7% që kishte qenë një vit më parë.
Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron vlerësohet të ketë ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të huamarrësve në monedhën europiane, me të ardhura në monedhën vendase. Vitin e kaluar, kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie për të katërtin vit radhazi dhe preku një minimum të ri historik.
Ndërkohë, raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar zbriti në 4.17%, nga 4.74% që kishte qenë në fund të vitit 2023, ndërsa në vlerë, kredia me probleme arriti nivelin 34.7 miliardë leke, ose 350 mln euro.