Ballina Aktualitet Zënia e hapësirave publike në Korçë/ Dyshime për abuzim nga Policia Bashkiake...

Zënia e hapësirave publike në Korçë/ Dyshime për abuzim nga Policia Bashkiake dhe tatim-taksat

17
0

Zënia e hapësirave publike në qytetin e Korçës po shndërrohet në një dukuri të përditshme, që ngre shqetësime për funksionin real të hapësirave të përbashkëta. Raste të tilla janë të shumta, por dy zona në zemër të qytetit tërheqin vëmendjen për mënyrën se si hapësirat e dedikuara për këmbësorët janë kthyer në zgjatim të aktiviteteve private.

Përballë kinemasë së qytetit, disa lokale të vendosura njëra pas tjetrës kanë zënë trotuarin me karrige dhe tavolina, duke kufizuar mundësinë e qarkullimit për kalimtarët. Pamjet e siguruara nga CNA tregojnë qartë sesi pjesa e trotuarit është e tejmbushur me tavolina e karrige, duke detyruar qytetarët të kalojnë në atë pak hapësirë të mbetur si trotuar.

Edhe pse kjo zënie është me leje, dhënë nga autoritetet vendore, shqetësimi nuk shuhet. Leja nuk ka sjellë një zgjidhje për balancimin mes nevojave të bizneseve dhe të drejtës së qytetarëve për të lëvizur lirshëm në hapësira publike.

Situata përsëritet edhe përballë bibliotekës së qytetit, ku është ndërtuar një hotel me ambient bar, i quajtur “In Gallery”, që ka zënë një pjesë të konsiderueshme të trotuarit. Edhe në këtë rast, sipas të dhënave të siguruara, leja është dhënë nga Këshilli Bashkiak i Korçës, por realiteti në terren tregon se funksioni fillestar i trotuarit si hapësirë për lëvizjen e këmbësorëve është anashkaluar.

Në Korçë ka dhe shumë prona të tjera publike të keqadministruara, që do të thotë se sipërfaqet që janë marrë me qira janë shumë më të vogla se sipërfaqja që bizneset administrojnë dhe paguajnë taksa në pushtetin vendor. Në Korçë ka shumë dyshime për abuzim dhe keqmenaxhim nga Policia Bashkiake dhe strukturat e tatim taksave.

Ndërsa bashkia dhe institucionet përkatëse shpesh apelojnë për respektimin e hapësirave publike, këto raste tregojnë se edhe lejet zyrtare mund të prodhojnë pasoja që bien drejtpërdrejt mbi qytetarët. Në një qytet që promovon turizmin dhe cilësinë e jetës urbane, balanca mes zhvillimit ekonomik dhe të drejtës së qytetarëve për hapësirë mbetet sfidë reale.