Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka dhënë një shuplakë të fortë propagandës së qeverisë për suksesin e madh turistik. Përmes një deklarate zyrtare, Dhoma deklaroi se bizneset e turizmit po përballen me mungesë të theksuar të ujit të pijshëm, por edhe mungesën e kanalizimeve për ujërat e zeza.
“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete,” thekson AmCham.
Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe me interes të veçantë dinamikën e zhvillimit të turizmit shqiptar gjatë viteve të fundit duke shprehr vlerësimet për impaktin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj.
Por ajo i kujton qeverisë se adresimi këtyre problemeve në kohë, do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.
Veç mungesës së ujit dhe kanalizimeve, Dhoma Amerikane shikon si problem të mprehtë edhe mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori.
“Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit,” përfundon deklarata e Dhomës.