Ballina Opinion Tokë e xanun? Po por nga Edi!

Tokë e xanun? Po por nga Edi!

9
0

Prona private nuk është “tokë e xanun”. Është një e drejtë themelore, natyrore, e patjetërsueshme.

Edi Rama mund të përdorë gjithë retorikën e tij cinike, të dërgojë IKMT, policinë dhe shkopinjtë e gomës, por nuk mund të fshehë të vërtetën:

Në Theth, shteti nuk po mbron ligjin, por po fsheh dështimet e veta nën pluhurin e fadromave.

Kur prona është legjitime, nuk është “e xanun”.

Tokë e Xanun është toka që uzurpoi Olta Xhaçka me Artan Gaçin në Himarë!

Ndërtimet në Theth janë mbi tokë private, të trashëguara brez pas brezi, të mbajtura gjallë nga një komunitet që ka zgjedhur të mos emigrojë, por të ndërtojë.

Askush nuk ka marrë tokën e shtetit. Ato prona nuk janë “të zëna”, janë të punuara, zhvilluara dhe estetike nga djersa, mundi dhe talenti i banorëve të zonës. Janë shtëpi dhe bujtina që ngjallin jetë në një vend që shteti e ka braktisur sistematikisht.

Në këtë kontekst, është Edi Rama që po i uzurpon tokat private me forcën represive të shtetit.
Dhe është paradoksale që “tokë të xanun” e quan ai që ka dështuar të sjellë një plan urbanistik, por sjell dhunën shtetërore.

Tradita amerikane e së drejtës natyrore, e mishëruar nga John Locke, e quan pronën një e drejtë të lindur, përkrah jetës dhe lirisë:

“Njeriu ka të drejtë të jetës, lirisë dhe pronës.”

Prona nuk është thjesht tokë – është puna, djersa, fryti i jetës. Dhe kjo filozofi u bë shtyllë e Kushtetutës Amerikane dhe e gjithë qytetërimit perëndimor.

Në Shtetet e Bashkuara dhe në çdo shtet të drejtë , edhe ndërtimet pa leje nuk prishen pa proces gjyqësor të drejtë, pa hetim, pa të drejtë mbrojtjeje, dhe pa kompensim të drejtë nëse merret për interes publik. Këtë nuk mund ta bëjë as presidenti, e as mbreti. Sepse prona është e shenjtë.

Në Shqipëri, ndodh e kundërta:
Shteti është i dobët për të planifikuar dhe i fortë për të ndëshkuar.
Në vend që të sjellë arkitektë dhe plane rregulluese, sjell IKMT dhe Fatmir Metën me syze-dielli si fytyrën e një shteti rrugaçëror.

Rama ka 13 vjet në pushtet dhe ka pasur gjithë kohën për të ndërtuar:
• një plan urbanistik për Thethin,
• rregulla për ndërtim tradicional,
• infrastrukturë për zhvillim turistik të qëndrueshëm.

Por nuk e bëri. Sepse është shumë më e lehtë të dërgosh fadroma, sesa urbanistë.
Më e lehtë të çosh polici, sesa plan.
Më e thjeshtë të përdorësh dhunën, sesa drejtësinë.

Shteti që nuk planifikon, nuk ka të drejtë të shkatërrojë! Ky është një parim themelor i qeverisjes demokratike:

“Ku shteti mungon në drejtim, nuk ka të drejtë të shfaqet në ndëshkim.”

Në vend që të ndihmojë banorët për të përmirësuar ndërtimet, për t’i përshtatur me një plan të vonuar, për t’i legalizuar me kushte dhe për të rritur standardin turistik të zonës, Rama zgjedh spektaklin e dhunës.
Spektakël në kulmin e sezonit turistik, pikërisht kur Thethi sjell jetë dhe shpresë.

Edi, Thethi nuk është “tokë e xanun”.
Është tokë e punuar, e mbrojtur dhe zhvilluar nga njerëz që i kanë qëndruar larg koncesioneve dhe aferave, por i afërt natyrës, mikpritjes dhe punës me ndershmëri.

Dhe është turp që ata ndëshkohen jo për krim, por për mungesën e shtetit.

Sot, Shqipëria përballet me një zgjedhje thelbësore:
Do të ndjekim rrugën e së drejtës natyrore dhe pronës së garantuar si në Perëndim, apo do të vijojmë me dhunën selektive të pushtetit, ku ligji zbatohet si armë politike?

Zgjedhja është e qartë. Dhe Thethi po jep përgjigjen e vet:
Ne nuk jemi uzurpatorë. Jemi pronarë. Dhe prona jonë nuk është tokë e xanun.