Më 11 korrik të vitit 1930 ndërroi jetë dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi.
Emrin e vërtetë e kishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”, duke mbartur kështu në krijimtarinë e tij, gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga vjen pseudonimi letrar.
Pas shkollimit bazë, e la Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Ndoqi një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku kreu studimet për drejtësi.
Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit.
U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, shkruan Atsh.
Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore.
Sa ishte gjallë iu botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskritishte.
Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).