Ballina Kronika Apartament me qira, me qëllim shfrytëzim prostitucioni/ Shpallet në kërkim tutorja spanjolle,...

Apartament me qira, me qëllim shfrytëzim prostitucioni/ Shpallet në kërkim tutorja spanjolle, nën hetim tri vajza

12
0

Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasja spanjolle që organizonte këtë veprimtari kriminale. Zbulohet apartamenti që ajo kishte marrë me qira, për këtë qëllim.

Është goditur një rast i shfrytëzimit të shtetaseve të huaja, për prostitucion. Procedohen penalisht 3 shtetase nga Venezuela që ushtronin prostitucion në apartamentin e marrë me qira.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast:

-u shpall në kërkim shtetasja A. A., 43 vjeçe, banuese në Spanjë. Kjo shtetase kishte marrë me qira një apartament në lagjen “Pavarësia 3”, Vlorë, në të cilin dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion, shtetase të huaja;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset venezuelase R. L., 25 vjeçe, K. C., 30 vjeçe dhe H. S., 30 vjeçe, banuese në Vlorë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së saj kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.