Ballina Rajoni Bosnjë: Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Bosnjë: Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

15
0

Më 11 korrik, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari do të varrosen shtatë viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Viktimat më të reja janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995.

Përveç tyre, do të varrosen edhe Rifet Gabeliq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Alliq dhe Amir Mujçiq. Viktima më e moshuar, dhe e vetmja grua që do të varroset këtë vit, është Fata Bektiq, e cila ishte 67 vjeç në korrik të vitit 1995.

Më herët është paralajmëruar se në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit pritet të marrin pjesë mbi 150 mijë persona.

Shumë delegacione kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në Potoçari. Në Bosnje e Hercegovinë tashmë ka arritur një delegacion i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Brandon Hanrahan, si dhe dukesha e Edinburgut, Sophie Helen Rhys-Jones, ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Danimarkës, dhe nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për Çështje Politike dhe Ndërtim Paqeje.

Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri më tani 6.765 persona, ndërsa rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirës së familjarëve.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska – entitet serb – vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinë në korrik të vitit 1995, çfarë është cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.