Kreditë që bankat shqiptare do të japin për koncesionet në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe aeroporteve do të klasifikohen me një nivel më të ulët risku se sa kreditë e zakonshme të biznesit. Banka e Shqipërisë ka lehtësuar kufizimet rregullatore për kreditimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë duke zbutur kërkesat për kapital dhe kufizimet rregullatore.
“Bankat ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastrukturë strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50%,” thuhet në rregulloren e ndryshuar.
Aktualisht çdo kredi që bankat japin për bizneset ponderohet me peshë rreziku 100 për qind për efekt të mjaftueshmërisë së kapitalit. Rrjedhimisht sa më shumë kredi jep një bankë, aq më shumë kapital duhet të shtojë ajo për të mbajtur brenda kufijve ligjore raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.
Me ndryshimet e reja të rregullores, kreditë e dhëna për bizneset që ndërtojnë rrugë, porte dhe aeroporte me koncesion, do të ponderohen me gjysmën e rrezikut, çka u jep bankave më shumë hapësirë për të kredituar këto projekte pa patur nevojë që të rrisin kapitalin.
Por ky nuk është ndryshimi i vetëm që lehtëson kreditimin e projekteve koncesionare. Një tjetër ndryshim është ai që lehtëson kufizimet e ekspozimeve të mëdha. Sipas rregullores aktuale, bankat shqiptare nuk mund të japin kredi për një biznes të caktuar me vlerë më të madhe se sa 15 për qind e kapitalit të bankës.
Kjo do të thotë se një bankë me kapital 100 milionë euro nuk mund të japë më shumë se 15 milionë euro për një projekt apo biznes të vetëm. Ky nen i rregullores për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha e bënte praktikisht të pamundur kreditimin e projekteve të mëdha koncesionare nga një bankë e vetme, për shkak se këto projekte kërkojnë financime në shuma të mëdha.
Kjo ishte arsyeja se pse në rastet e pakta që janë dhënë kredi për koncesionet, ato janë realizuar në formën e kredive sindikale me pjesëmarrjen e shumë bankave njëkohësisht. Por me ndryshimet e reja, bankat lejohet të përjashtojnë nga llogaritja e ekspozimit të madh, gjysmën e vlerës së kredisë të dhënë për koncesionet.
Rrjedhimisht në rastin e mësipërm, një bankë me kapital 100 milionë euro, mund të japë jo më 15 milionë euro kredi tek një biznes apo projekt i vetëm, por dyfishin e kësaj shume, pra 30 milionë euro.
Sipas vendimit, këto lehtësira do të jenë në fuqi deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Këto ndryshime do të zbatohen për të gjitha ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastrukturë strategjike transporti, që do të krijohen deri më 31 dhjetor 2026 dhe do të jenë të zbatueshme deri në afatin miratuar të financimit, që në çdo rast ky i fundit nuk tejkalon 10 vjet,” thuhet në rregullore.
Shtrëngohet dividenti
Por në këmbim të relaksimit të kufizimeve rregullatore për kreditë e mëdha koncesionare, Banka e Shqipërisë ka vendosur të shtrëngojë shpërndarjen e dividentit duke mos i lejuar bankat që të shpërndajnë më shumë se gjysmën e dividentit për dy vitet në vijim.
“Për të gjitha bankat që do të përfitojnë nga ndryshimet rregullatore të mësipërme, të lejohet shpërndarja e fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, apo e fitimit të realizuar në vitin 2025 dhe 2026, deri në 50%,” thuhet në rregullore.
Lehtësimi i kufizimeve rregullatore për projektet strategjike në infrastrukturë ishte kërkuar nga shoqata e bankave. Përmes një kërkesë zyrtare drejtuar Bankës së Shqipërisë, rreth 4 muaj më parë, Shoqata e Bankave kërkonte zbutjen e koefiçientëve të përllogaritjes së riskut për kreditë që jepen për ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore si rrugët, hekurudhat, portet, aeroportet dhe ujësjellësat./kapitali