Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Asset Lock”, që çoi në sekuestrimin e pasurive me një vlerë të përllogaritur prej 875 mijë eurosh, në pronësi të një 32-vjeçari që aktualisht ndodhet në burg për një sërë veprash të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e 5 pasurive të shtetasit P. P., 32 vjeç. Ky i fundit është dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” si dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë dy garazhe, një apartament, një sipërfaqe trualli dhe një subjekt tregtar, të gjitha të regjistruara në emër të të dënuarit ose të familjarëve të tij.
Policia njofton se hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtij shtetasi. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.