Ballina Ekonomia Guvernatori Sejko takim me misionin e FMN në Shqipëri, diskutim mbi zhvillimet...

Guvernatori Sejko takim me misionin e FMN në Shqipëri, diskutim mbi zhvillimet ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit financiar

14
0

Më 11 korrik 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase, ku theksoi se aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta dhe kushtet e financimit mbeten akomoduese.

Gjithashtu, Guvernatori theksoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Në kuadër të angazhimit për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, Banka e Shqipërisë ndërmori një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare në fillim të muajit korrik, në konsistencë me qasjen fleksibël dhe të bazuar në të dhëna të cilën kemi ndjekur për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria e tij karakterizohet nga qëndrueshmëria e shprehur në nivelin e lartë të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përmirësimit të cilësisë së aktiveve. Lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë, Guvernatori u shpreh se treguesi i kredive me probleme ka prekur nivelin më të ulët që prej vitit 2008, në fund të vitit të 2024 zbriti në 4.17%, nga 4.74% që ishte në fund të vitit 2023. Kjo rënie është mbështetur nga rritja e kënaqshme ekonomike në vitet e fundit dhe një ecuri e mirë e bilanceve të sektorit privat dhe po vazhdon të ulet edhe në pjesën e parë të vitit 2025.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vuri theksin në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase të tilla si sfida nga mjedisi i jashtëm, rritja e barrierave tregtare, pasiguritë mbi drejtimin e politikave ekonomike e tregtare, si dhe intensifikimi i konflikteve gjeopolitike që krijojnë një mjedis me pasiguri të lartë duke kërkuar vëmendjen e nevojshme dhe fleksibilitet për të reaguar në mënyrë efektive.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën mbështetjen e tyre për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Gjithashtu, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë e vijimit të regjimit të kursit të lirë të këmbimit, duke nënvizuar se ky regjim ofron një instrument mjaft të dobishëm në amortizimin e goditjeve të huaja dhe është përqasja më e mirë në procesin e konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian.

Ata vlerësuan pozitivisht nismat e mara nga Banka e Shqipërisë në drejtim të mbikëqyrjes bankare, të përmirësimit të kuadrit rregullator për mbrojtjen e konsumatorëve, të rritjes së kujdesit makroprudencial, veçanërisht për kontrollin e ekspozimit të sektorit bankar ndaj kredive hipotekare, si edhe në drejtim të nxitjes e zhvillimit të sistemit të pagesave.

Së fundi, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë primare që një bankë qendrore e pavarur, profesionale dhe transparente, ka për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, si parakushte për një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit, duke nënvizuar se kjo pavarësi është, gjithashtu, edhe një kriter primar i ruajtjes së besimit të investitorëve vendas e të huaj në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë. Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë që do të ketë për vendin zbatimi i një programi të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), puna për të cilin do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.