Ballina Opinion Klosi dhe Braçe matin terrenin nga Sauku, Niko pret…

Klosi dhe Braçe matin terrenin nga Sauku, Niko pret…

11
0

Nga Agron Gjekmarkaj

Lëvizje të çuditshme u panë në Kryesinë e Kuvendit! Njerëzit nuk dalloheshin kush ishin, të veshur me rroba ushtarake nga ato të vjetrat, me gjethe e degë dushku, të maskuar, vraponin lart e poshtë!

Një i shkurtër, i tebdilosur si vietnamez, jepte urdhra tutje, tejhu: “Minë, minë atje, kundërajror aty, transhe në të majtë, një pirg në të djathtë, radar mbi çati, mitraloz në shkallë!”

Një tjetër i gjatë si shul, terhiqte nje karro me një rrotullamë teli me gjemba që donte ta shtrinte, i vërtitej murit të jashtëm po kaq me pushkë të gjatë me dylbi në krah!

Afrohem i pasigurt në isha në ëndërr apo në realitet! Thasët me rërë nëpër shkallë më pengonin ecjen e shikimin.

Njoha Kostaqin, që kishte marrë sembiancat e gjeneralit koreano-verior Xhiap dhe Gencin, që dukej si snajperisti Zajcev, ndonëse ishin zhigatur me baltë në fytyrë!

Sejmenët e tyre, kur më panë, më ndalën me rropamë! Po udhëheqësit, duket se më njohën! Një tra u ngrit përpjetë!

Pyeta: “Ç’po ndodh?”

Po një nervoz aty më tha: “Lëri dënglat se je mësuar ti por jepu këmbëve, se këtu do bëhet gjëma! Ata po të presin, kanë lënë frontin për ty”.

Më zuri frika e po drillesha! Bilbilenjtet ma lexuan kureshtjen e pakufi!

Nuk arrita të pyes ç’po ndodh, kur heronjet mua afruan siç u ka hije luftëtarëve të sëres, të vendosur, ndonëse me zë të ulët më thanë: “Te ty kemi besim se ‘kronika’ i mban gjërat për vete, nuk bën tellall poshtë e përpjetë. Këtu do bëhet nami por ca amanete do të lihen. Po mbrojmë Mamicën nga mësyemjet e gjithanshme për t’i marrë postin, gjasat qe të mbetemi mbi bedena janë të medha”.

Po ja, Mamica ka thënë si në balada: “Në mbetsha, syrin e djathtë ma lini jashtë të shoh Babon dhe Shqipërinë 2030, Dorën e djathtë ma lini jashtë të përkëdhel Vin Hoxhën e Borën kur të mërziten se helbete!

Këmbën e djathtë ma lini jashtë të kolovis ëndrrat e rishtarëve në Akademi, Dhe gjinë e djathtë ma lini jashtë të ushqej këta çamarrokët zevzeke e të, uritur pa pushtet të opozitës! Në vafsha zemer plasur shkoj se psalmet e Tonit më nuk do lexoj”!

U preka! Amanetin se tret dheu!

Po kush janë armiqtë? – pyes i llahtarisur!

Po ja, nga juglindja po sulmon Niko Nikoqire shtatë taborre! Tani është ndalur në Xhyrë dhe pret të marrë përforcime nga Tao dhe trimat e tij që të marrin gjak në vetull! Ne Elbasan i pret Sara me gjygym që të pinë ujë e drobitjen të ndalin!

Nga jugu, Tezja si Bubulina, bashkë me Termenë që ngjan me Kollokotronin, po mbledhin komitë dyfekë me gjalmë supeve e po kalërojnë – sapo kanë kaluar grykën e Mezhgoranit! Here pas here Tezja u kendon per ti motivuar!

Troku i kuajve të tyre djeg edhe barin rrugës! Në hanet e Dilo Nasufit thuhet se do gjejne patkonj.

Ajo po i lutet Damos që ta marrë me vete si bard për t’u kënduar bëmave, por ai ka dyshime! Lira e tij është ndryshkur dhe zënë se ka të qeruar si më parë!

Nga zona e parë operative, Fatja po i bie borisë dhe kudo brigadat sulmuese po rreshtohen në Drashovicë, gati për yxhym! Vullneti mbi një mushk parakaloi para trupave te ndezura zjarr !

Çuçin e ka caktuar si intendent, se ai aromen e barutit e ka zët, por s’ia ka besën dhe druhet se nuk i furnizon rrugës! Iken u punon qindin!

Nga Dibra, si në kohë të Elez Isufit një ushtri e madhe me Belen e Ulsinë po i afrohen shkallës së Tujanit – baterdi e potere ka dhe andej! Qan femija ne bark të nënes! Ulsiu ngjan me Moisi Golemin! Blendi Klosi me Braçen presin fundin e betejës e nga kodrat e Saukut shohin me dylbi.

Do bëhet Vaterlo , por ne kemi vendosur – thanë njëzëri – do biem shahit siç na ka hije, me jetën tonë do të mbrojmë qerpikët e gjatë të Mamicës, nën hijen e të cilëve fle si sheleg një komb i tërë, që mos të përzhiten nga gjithë ajo furi!!!

Ndërkohë, tek një makinë e madhe me ushqime të thata futeshin brenda ata si Oso Kuka, mbylleshin dyert me kokërramë e po ndaheshin me të gjallët e kësaj bote me emër të përjetësisë!

Kostaqi, pasi bëri ca hapa, u kthye e më thirri:

“Dëgjo vëlla: Në pyet Babua për mua, i thoni që u martua,
Në pyet ç’nuse mori – gjepura kraharori,
Në pyet se ç’krushq i vanë – rilindasit anembanë.
Mbeçë, mor shok, mbëçe në pritë të Zeqinese, në qafte Jorushi per mua i thoni lot nuk dua, në pyetë Mimia-i thoni po lefton vegjelia, në ardhte Etilda te fari i thoni le të rritet bari”
!