Komiteti Norvegjez i Nobelit është shprehur i “alarmuar” për Narges Mohammadin, fituesen e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2023, pasi ajo është “kërcënuar seriozisht” me jetë.
Në një komunikatë të premten, komiteti tha se Mohammadi e ka njoftuar kryetarin e komitetit, Jorgen Watne Frydnes, përmes një “telefonate urgjente” se ka marrë paralajmërime nëpërmjet avokatëve të saj dhe kanaleve të tërthorta.
“Jam kërcënuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi me ‘eliminim fizik’ nga agjentë të regjimit”, citohet të ketë thënë Mohammadi.
Këto paralajmërime, sipas komunikatës, e bëjnë të qartë se ajo duhet të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet publike brenda Iranit, si dhe nga çdo përpjekje ndërkombëtare për ta promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes.
“Komiteti Norvegjez i Nobelit është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet ndaj Narges Mohammadit dhe, për më tepër, ndaj të gjithë qytetarëve iranianë me zë kritik, dhe i bën thirrje autoriteteve ta mbrojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe lirinë e tyre të shprehjes”, tha Frydnes.
Mohammadi ka kaluar dekada duke luftuar për të drejtat e njeriut në Iran dhe është përballur vazhdimisht me burgosje gjatë 20 vjetëve të fundit.
Që nga marsi i vitit 2021, ajo është dënuar pesë herë dhe tani po e vuan një dënim prej 12 vjetësh për “përhapje të propagandës” kundër republikës islamike.
Mohammadi u “lirua përkohësisht” nga burgu në dhjetor pas marrjes së një trajtimi urgjent mjekësor.
Megjithëse ka qenë pothuajse vazhdimisht e burgosur që nga viti 2010, Mohammadi ka tentuar shpesh ta rrisë ndërgjegjësimin për kushtet e burgjeve dhe keqtrajtimet e pretenduara ndaj grave të burgosura.
Më 7 korrik, ajo lëshoi një deklaratë ku tha se do t’i kthehej burgut dhe do të vazhdonte vuajtjen e dënimit.
Ajo ka marrë dy urdhra zyrtarë për t’u kthyer në burg, por avokatët e saj e kanë këshilluar të mos kthehet me dëshirë.
“Nëse më duan, le të paguajnë çmimin dhe të më arrestojnë vetë, nuk do të shkoj në burg në heshtje”, tha ajo, duke theksuar se ka zgjedhur të qëndrojë jashtë si një akt i “mosbindjes civile”..REL