Ballina Aktualitet Molotovë e kallashnikovë, 3 furgona të FNSH nisen drejt Thethit/ Policia jep...

Molotovë e kallashnikovë, 3 furgona të FNSH nisen drejt Thethit/ Policia jep detaje: U parandalua djegia e urës

0
11

Dita e pestë e aksionit të Policisë Shkodër dhe IKMT-së dhe Bashkisë në zonën e Thethit, për të shembur ndërtimet pa leje në këtë zonë pasuri natyrore, ka shënuar edhe një incident, që për fat të mirë përfundoi pa të lënduar.

Pas tensioneve dhe sulmit me molotov, në zonë kanë mbërritur edhe përforcime të grupit të FNSH-ve të Shkodrës.

Një grup banorësh për të cilët po hetohet, janë përplasur me forcat operacionale, ku kanë qëlluar me shishe benzine (molotov). Policia tha në reagimin e saj zyrtar se një prej banorëve tentoi të digjte urën në fshatin Gjelaj, ku do kalonte mjeti, por pamjet tregojnë se është hedhur lëndë djegëse edhe drejt mjetit të IKMT-së, ku dallohen flakët shumë pranë tij.

Në pamje shfaqet edhe drejtuesi i IKMT-së mbi fadromë, teksa mbrohet nga Policia, e pajisur me antiplumb dhe armët gati. Për fat të mirë nuk pati të lënduar, teksa hedhja e molotovit shkaktoi flakë pranë mjetit dhe dëme materiale në urë. Dërrasat e saj janë djegur në një pjesë të trupit të urës dhe qëllim ka qenë dëmtimi që fadroma të mos kalonte në lagjen ku do vijonin shembjet.

Policia ka kaluar menjëherë në gatishmëri pas këtij sulmi, teksa forcat e saj të armatosura dhe me antiplumb u vendosën në pozicion sigurie,dhe vetëmbrojtjeje, me kallash në dorë. Grupi i efektivëve ka krijuar perimetrin, teksa në një moment dallohet se banori apo banorët kanë vijuar sulmin me molotov, por që binin në zonën e pyllëzuar mbi rrugë.

Policia ka ndërhyrë menjëherë, teksa mjetet kanë vijuar përpara për operacionin e shembjeve të ndërtesave të tjera. Gjithashtu Policia është vënë në kërkim të autorëve që qëlluan me shishe benzine në drejtim të fadromës së IKMT. Në njoftim theksohet se “nga hedhja e shishes me benzinë nuk është dëmtuar mjeti fadromë, por vetëm ura”.

“Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore. pati vetëm djegie të pjesshme të urës”, thuhet në njoftim.

Në një moment te tensioneve, shihet edhe drejtuesi i IKMT-së që debaton me banorët dhe u thotë:

“S’mund të vrasësh me molotov punonjësit e Policisë së Shtetit ti…!”

Në vijim të operacionit dhe shmangies së mëtejshme të përplasjes, ka mbërritur me përforcime edhe grupi i FNSH-ve të Shkodrës.

Diën e djeshme, aksioni i IKMT-së në zonën e mbrojtur të Thethit përfundoi me shembjen e një ndërtesë 3-katëshe, me strukturë beton-arme dhe tulla, e ngritur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet mjedisore. Në proces janë edhe 6 të tjera të planifikuara për t’u shembur.

Në Theth prej 4 ditësh vijon aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ditën e djeshme qindra banorë protestuan kundër shembjes së bujtinave pa leje. Policia liroi urën me force, ku u përplas fizikisht edhe me banorët. Ata kërkojnë shtyrjen e aksionit pas sezonit.

Ndërsa drejtori i IKMT-së deklaroi se nuk ka asnjë tolerim, aksioni do vazhdojë për shembjen e objekteve të tjera në fshatin turistik.

Reagim i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:

“Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se:

Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.

Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.

Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.

Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit”.