Qytetarët në çdo cep të Shqipërisë do të përballen me rritje të ndjeshme të taksave që paguajnë për banesat e tyre, teksa qeveria pritet të njoftojë çmimet e reja të referencës mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë. Kryeministri Edi Rama paralëjmroi se rritja do të jetë e ndjeshme.
“Punë ditësh, javësh do të dalin çmimet e reja të referencës. Nga ana tjetër duke pasur parasysh që çmimet e referencës rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe e bëjnë jo të vogël taksën e pasurisë, që do të thotë kush do ta menaxhojë mirën taksën e pasurisë do të ketë të ardhura të mira, një gjë duhet pasur parasysh,” deklaroi Rama.
Përveç rritjes së referencës për të gjitha banesat, kryeministri njoftoi se qeveria do të rrisë edhe taksën e shtëpive të dyta.
“Çmimet e reja do të kenë dhe një element tjetër. Taksa për shtëpinë e dytë do të jetë më e madhe se sa për shtëpinë e parë. Bashkitë, sidomos ato të bregdetit do kenë një të ardhur domethënëse nga ky proces. Pasi shumë persona në bregdet kanë shtëpitë e dyta,”njoftoi shefi i qeverisë.
Sipas tij, rritja e çmimeve të referencës do të ndikojë drejtpërdrejt në nivelin e taksës së pasurisë, ndaj është i domosdoshëm menaxhimi eficient i saj nga njësitë vendore. Ministria e Financave pritet të publikojë një udhëzues të posaçëm për zbatimin e kësaj reforme.
“Ne jemi drejt finalizmit të çmimeve të reja të referencës. Vlera e pronave është rritur me 26%. Taksa e pronës është një nga taksat kryesore në të gjitha bashkitë e Evropës dhe duhet të ketë të njëjtën rëndësi edhe për bashkitë e vendit tonë. Paralelisht me taksën do të bëjmë edhe prezantimin e rivlerësimit të pronave që do të bëhet me në normë tatimore të reduktuar. Krahas vlerës së re të pronave, qytetarët do kenë mundëis të bëjnë dhe rivlerësimin e pronave,” tha ministri i Financave, Petrit Malaj./ kapital