Diplomati më i lartë i Washingtonit është në Malajzi në udhëtimin e tij të parë në kontinentin e Azisë që kur e nisi detyrën, duke marrë pjesë në Samitin e Azisë Lindore dhe Forumit Rajonal të ASEAN-it, së bashku me homologët nga Japonia, Kina, Koreja e Jugut, Rusia, Australia, India, Bashkimi Evropian dhe shtetet e Azisë Juglindore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të premten me homologun e tij kinez, Wang Yi, në Kuala Lumpur të Malajzisë, teksa dy fuqitë kryesore ekonomike po konkurrojnë për të shtyrë përpara agjendat e tyre në Azi, në kohën e tensioneve gjithnjë e në rritje për shkak të politikës tarifore të presidentit amerikan, Donald Trump.
Takimi i tij me Wang është zhvilluar paralelisht me rritjen e tensioneve globale si pasojë e vendimeve të Trumpit, përderisa autoritetet kineze i kanë paralajmëruar këtë javë Shtetet e Bashkuara që të mos i rivendosin tarifat e larta ndaj mallrave me origjinë nga Kina, ka raportuar Reuters.
Pekini zyrtar gjithashtu ka kërcënuar se do të hakmerret karshi vendeve që nënshkruajnë marrëveshje me SHBA-në, të cilat kanë për qëllim përjashtimin e Kinës nga zinxhirët e furnizimit.
Vizita e Rubios është pjesë e përpjekjeve për të rivendosur fokusin e SHBA-së në rajonin e Indo-Paqësorit dhe për të shkuar përtej konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Evropë, që kanë preokupuar shumicën e agjendës së jashtme të administratës Trump.
Mirëpo, kjo është vënë nën hije nga njoftimi i kësaj jave për tarifat e reja amerikane kundrejt shumë vendeve aziatike dhe aleatëve të SHBA-së, që përfshijnë tarifa prej 25% mbi Japoninë, Korenë e Jugut dhe Malajzinë, 32% për Indonezinë, 36% për Tajlandën dhe Kamboxhian, dhe 40% për Myanmarin dhe Laosin.
Analistët kanë theksuar se qëllimi i vizitës së Rubios është që të riafirmohet pikëpamja se Shtetet e Bashkuara mbeten partner më i besueshëm se Kina.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit kanë njoftuar se Rubio është takuar të premten edhe me homologët e Tajlandës, Kamboxhias dhe Indonezisë.
Një ditë më parë, ai u kishte thënë ministrave të jashtëm të Azisë Juglindore se rajoni i Indo-Paqësorit ngelet pikë kyçe e politikës së jashtme të SHBA-së.