Ballina Rajoni Trajkoviç: Vuçiç mbron kriminelët nga Srebrenica deri te Banjska

Trajkoviç: Vuçiç mbron kriminelët nga Srebrenica deri te Banjska

18
0

Në një përgjigje ndaj mesazhit të presidentit serb për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, Rada Trajkoviq e akuzon Aleksandar Vuçiqin se po përdor këtë ngjarje vetëm për të përfituar pikë politike në arenën ndërkombëtare.

Ajo thekson se Vuçiq nuk ka as vullnetin e as qëllimin për t’u përballur me të kaluarën kriminale të Serbisë, duke mbrojtur vazhdimisht autorët e krimeve, që nga gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995, e deri te sulmi i armatosur në Banjskë të Kosovës në vitin 2023.

Pse një deklaratë kaq e rëndësishme në anglisht? Ia thatë këtë bashkësisë ndërkombëtare shumë kohë më parë. Ndoshta është më mirë ta thoni këtë në serbisht në mënyrë që autorët e krimeve që po mbroni nga Srebrenica në Banjska të mund ta dëgjojnë mirë? Apo çështja është se me këtë deklaratë lani veten dhe shpëtoni kolltukun dhe njerëzit janë kolektivisht fajtorë”, ka shkruar ajo në platformën X.

Ndërkohë, në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë – Potoçari, sot do të prehen edhe shtatë viktima të tjera të gjenocidit të kryer në korrik të vitit 1995, ku numri i të vrarëve është mbi 8000 burra myslimanë.

Por, ky nuk ishte një gjenocid për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por ishte vetëm një krim i tmerrshëm që forcat serbe kryen në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995.

“Sot bëhen tridhjetë vjet nga krimi i tmerrshëm në Srebrenicë. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por duhet të ndryshojmë të ardhmen. Edhe një herë, në emër të qytetarëve të Serbisë, shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave boshnjake, duke besuar se një krim i tillë nuk do të përsëritet kurrë më”, ka shkruar Vuçiq.

Ndryshe, gjenocidi në Srebrenicë nuk është vetëm fakt moral, por edhe ligjor – është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), si dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, 54 persona janë dënuar me gjithsej 781 vite burg, përfshirë pesë dënime të përjetshme.

Ndër të dënuarit janë udhëheqësit më të lartë ushtarakë dhe politikë të Republikës Serbe dhe të ushtrisë serbe të Bosnjës.