Detaje të reja janë zbardhur lidhur me hetimet e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Sipas gazetarit Enver Doçi, Prokuroria e Dibrës po heton në dy pista që lidhen me aktivitetin e të riut në Gjermani dhe në Shqipëri. Gjithashtu bëhet me dije se Dobra ka qenë i dënuar me burgim për disa muaj nga autoritetet gjermane dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Konkretisht pista e parë e hetimit ka të bëjë me dënimin e Dobrës në Gjermani dhe lidhjet që ka pasur me persona të tjerë gjatë qëndrimit në këtë shtet. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me konflikti që ka pasur në Tiranë me të rinjtë e tjerë në Tiranë.
Gjithashtu dëshmia e babait të Renisit mund të hedhë dritë mbi të vërtetën pasi ka qenë personi i fundit që ka komunikuar me 23-vjeçarin. Po ashtu bëher me dije se më 8 korrik rreth orës 21:36 Renisi i ka dërguar një mesazh babait të tij, ku e ka pyetur për një darkë familjare. Rreth 300 metra larg banesës së familjes Dobra, te afërm te tyre qe kanë qenë me makinë pas 23-vjeçarit kanë parë që disa persona që dyshohet se janë prezantuar si policë kanë marrë me vete te riun.
Aty menjëherë kanë njoftuar babane e djalit i cili është nisur për në Policinë e Matit, për të pyetur nëse djali i tij ishte shoqëruar nga policia. Pasi policia mohoi të ketë shoqëruar të riun, babai i djalit ka kryer një kallëzim për zhdukjen e tij dhe më pas është kthyer sërish në fshatin Zenisht. Mëngjesin e 9 korrikut babai i 23-vjeçarit është nisur drejt rrugës Burrel-Milot, ku tek Ura e Ulzës ka gjetur një prej pandoflave të djalit.
Rreth 2 km nga Ura e Ulzës, në rrugën që të çon drejt Milotit ka vërejtur që një makinë ka dalë nga rruga. Babai ka dyshuar se ka qenë makina e tij, ndërsa një banor i zonës i ka pohuar se ka dëgjuar zhurmën e rrëshqitjes së mjetit në zonë. Më pas kanë njoftuar policinë, e cila gjeti buzë Liqenit të Shkopetit trupin e pajetë të 23-vjeçarit Renis Dobra.