Ballina Opinion Agjenti digjital, informacion dhe vetërregullimi

Agjenti digjital, informacion dhe vetërregullimi

8
0

Nga Ilir Yzeiri

Në librin e tij Nexus, Yuval Noah Harari shqyrton në mënyrë të thellë rrjetet e informacionit që ka përdorur njeriu nga periudhat e hershme të jetës së tij e deri sot. Ai vëren se tregimi apo rrëfimi është forma e parë e informacionit. Më tej ai shkruan se informacioni nuk është e vërteta dhe se dija e pushteti ngrihen mbi përpunimin e informacionit.

Një nga arsyetimet më brilante të tij është ajo që lidhet me raportin mes rrjeteve të informacionit dhe sistemeve vetëkorrigjuese. Duke marrë në analizë tekstet e vjetra religjioze dhe rrëfimet e lashta, po ashtu, ai vëren se ato sisteme që nuk pranojnë vetëkorrigjimin janë të destinuara të ngjallin totalitarizmin. Për të mbajtur në punë këtë sistem të sofistikuar të rrjeteve të informacionit, shoqëritë krijuan burokracitë, të cilat regjistronin dhe dokumentonin praktikat drejtuese dhe ato fiskale e juridike të një shoqërie.

Ai vëren se ajo që ndodh sot me algoritmet, pra me pavarësinë që fiton një agjent digjital kur ai përhapet në rrjetet kompjuterike, nuk është një gjë e re. Edhe në rrjetet e informacionit analog, në Mesjetë fjala vjen, përhapja e informacioneve konspiracioniste shkaktonte ndonjëherë edhe fatkeqësi të mëdha. Rasti më tragjik, sipas tij, është ai mbi shtrigat. Mjaftoi një rrëfim halucinant i një prifti në Mesjetë që të ndërtohej më pas një ideologji e tërë vrastare mbi një kategori njerëzish që shpalleshin si rrezik për shoqërinë dhe që duheshin vrarë. Masakrat mbi gratë apo deri edhe fëmijët e pafajshëm që identifikoheshin në mënyrë të padrejtë si të marrë peng nga djalli i cili i kishte shndërruar në shtriga, solli mijëra ekzekutime makabre në shumë vende të Europës së krishterë.

Në zanafillë të kësaj masakre, thotë Harari, ishte një informacion i pavërtetë që u zmadhua e u përhap aq sa krijoi një bindje të përgjithshme. Kontrolli mbi informacionin nuk ka qenë i lehtë në asnjë kohë. Shtetet totalitare dhe diktaturat e përdorin pastaj informacionin për të shenjtëruar shtypjen dhe për të legjitimuar vrasjet. Më tej ai përmend disa çështje që janë në themel të qytetërimit tonë, por që nuk i vëmë re.

Fjala vjen, trillimi, thotë ai, është themeli i historisë. Kombet ngrihen nga ëndrrat, këngët dhe fantazitë. Dokumentet e shkruara ndryshuan botën sepse krijuan një realitet të ri. Nga pllaka e baltës te kompjuteri, burokracia gjeti shtëpinë e vet. Sirtari drejtoi botën dhe tavolina po ashtu. Gabimi njerëzor dhe krijimi i teknologjive të pagabueshme. Bibla e Kurani janë teknologji për të kapërcyer gabueshmërinë njerëzore. Një kapitull më vete për t’u njohur janë historia e shtypit, e shkencës dhe intrigave. Shtypshkrimi lind shkencën.

Konspiracioni lindi gjuetinë e shtrigave. Libri më i shitur në Mesjetë nuk ishte ai shkencor i Galileut që mezi u shit në disa dhjetëra kopje, por ai i Kramerit mbi shtrigat, pra i mbështetur mbi konspiracionin, siç është sot lëvizja QAnon që u shit në mijëra kopje. Gjuetia e shtrigave është ana e errët e informacionit – 40 deri 50 mijë ekzekutime të pafajshme.

Paradoksi tjetër. Revolucioni shkencor lindi nga zbulimi i injorancës. Por roli i mekanizmave vetëkorrigjues është vendimtar. Pa të lind totalitarizmi. Shembulli më klasik është ai i shkencëtarit rus Lisenko që refuzoi gjenetikën, duke promovuar teorinë false të riedukimit të bimëve. E vërteta dhe rendi janë po ashtu një paradoks tjetër. Revolucioni i sotëm i informacionit e ka ndarë botën nga perdja e Silikonit, ndryshe nga sa ishte vite më parë, kur bota ndahej nga Perdja e Hekurt. Sot jemi përballë një realiteti tjetër. Politikat njerëzore janë politika kompjuterash. Burokratët digjitalë na zgjidhin detyra që burokratët prej mishi do të donin vite e vite t’i llogaritnin. Por sot jetojmë në epokën kur privatësia jonë mori fund.

Sipas një llogarie, ne kemi një kamerë për çdo 8 persona në glob. Nëse Bibla ishte e pamjaftueshme që të interpretonte veten dhe për këtë u krijua Kisha, edhe Inteligjenca Artificiale është e pamjaftueshme që ta interpretojë veten, ndaj duhen krijuar sisteme njerëzore që ta frenojnë atë. Sot ne kemi përballë shumë rreziqe, ndër më të mëdhatë është ai i automatizimit dhe i transformimit të punës.

Paradoksi është se një kompjuter mund ta zëvendësojë një kampion shahu, por jo një hamall; mund ta zëvendësojë një mjek apo një inxhinier, por jo një kuzhinier apo një larës pjatash.

Për të mos folur pastaj për inteligjencën emocionale, për anarkinë digjitale dhe për kolonializimin e të dhënave. Si përfundim, inteligjenca artificiale dhe epoka e revolucionit digjital është një e panjohur e madhe që ka marrë përsipër fatin tonë. Për fat të keq, te ne flitet pak për këtë sfidë, por bota është në ankth, ashtu si para çdo të reje tjetër që ka ndryshuar rendin e gjërave.