Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka denoncuar përmes një postimi në rrjetet sociale, praninë e forcave të armatosura të policisë në zonën e Thethit.
Shehu e ka krahasuar këtë prani me praktika të regjimeve autoritare dhe e cilëson si një shkelje të rëndë të standardeve demokratike.
Në reagimin e tij, Shehu shkruan se përballja e policisë me popullsinë lokale të armatosur me Kallashnikov përbën një akt të paprecedentë që nuk është parë as në kohën e diktaturës komuniste.
“Policia e Ramës, si ajo e Kim Jong-un, përballet me popullsinë me armë automatike. As Policia e diktaturës nuk doli kështu e armatosur, as kur u rrëzua monumenti i diktatorit,” – shkruan ai.
Shehu e cilëson ndërhyrjen si një “demonstrim të marrëzisë dhe panikut të regjimit”, duke akuzuar qeverinë se ka humbur plotësisht ndjesinë e përgjegjësisë shtetërore. Ai shton se përdorimi i armëve në këto kushte është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe me praktikat europiane të veprimit policor.
Në fund të mesazhit, deputeti Tritan Shehu ka bërë thirrje për reagim qytetar.